Punësimi i të huajve, udhëzimi i ri shkurton në 1 ditë afatin për miratimin e kërkesave
Procedurat për punësimin e shtetasve të huaj janë pësuar ndryshime. Një udhëzim i ri i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili shfuqizon rregulloret e miratuara në vitin 2023, shkurton afatet për miratimin online të kërkesave për punësim.
Sipas udhëzimit të ri, të publikuar në Fletoren Zyrtare, aplikimet për leje unike do të kryhen përmes platformës e-Albania. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) do të ketë tani vetëm 1 ditë pune për të dhënë një përgjigje, ndërsa më parë afati ishte 2 javë (10 ditë pune).
Në udhëzim specifikohet: “Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA-së shprehet në sistemin elektronik online, me miratim paraprak/aprovim/kërkesë për plotësim dokumentacioni apo refuzim të kërkesës për miratim punësimi, brenda 1 (një) dite pune pas vlerësimit të aplikimit në sistemin e shërbimeve të punësimit, kontratës së punës/ofertës së punës (sipas formatit standard në shtojcën 1 dhe/ose dokumenteve të tjera të nevojshme).”
Udhëzimi i ri gjithashtu zgjeron kategoritë e shtetasve të huaj që përfshihen në procedurën e miratimit të punësimit, me qëllim të një procesi më të shpejtë dhe më të thjeshtë administrativ.
Udhëzimi i vitit 2023 mbulonte kryesisht punëmarrës, punëtorë sezonalë, profesionistë ICT, të kualifikuar, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale. Udhëzimi i ri shton kategori të tjera, duke përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit ndërkufitarë, personat për formim profesional dhe punëtorët e shtëpisë.
Udhëzimi i ri për punësimin e të huajve thekson bashkëpunimin ndërinstitucional mes autoriteteve shtetërore përgjegjëse për çështjet kufitare dhe migratore, dhe atyre për çështjet e punësimit të të huajve, mbi zbatimin e procedurave për miratimin e lejes unike për kategoritë e huaja që kërkojnë miratim për punësim.
Kërkesa për pajisje me leje unike ose ripërtëritjen e saj bëhet nëpërmjet platformës e-albania, drejtuar drejtorisë së kufirit dhe migracionit në rajonin ku kryhet aktiviteti.
Për kategoritë e huaja si punëmarrës, të vetëpunësuar, punonjës ndërkufitarë, për formim profesional, punëtorë të shtëpisë, punonjës stinorë, të transferuar brenda ndërmarrjes, punonjës me kualifikim të lartë, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale, kërkesa shqyrtohet fillimisht nga autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA-së, që mbulon territorin ku i huaji kryen aktivitetin.
Për shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e familjes së tyre, si dhe shtetasit e zonës Shengen që nuk janë anëtarë të Bashkimit Europian dhe kanë qëndrim të ligjshëm në Shqipëri, si dhe shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor (Bosnjë-Hercegovinë, Mal i Zi, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni e Veriut), kërkesa trajtohet vetëm nga struktura vendore e kufirit dhe migracionit. AKPA-ja siguron të dhënat për këtë kategori të huajsh të punësuar, nëpërmjet sistemit elektronik.
Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA-së miraton kërkesën për punësim nëse plotësohen kriteret e pikës 6, të nenit 74, të ligjit “Për të huajt”, të ndryshuar, kriteret dhe dokumentacioni sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021, si dhe duke u bazuar në dokumentacionin e siguruar nëpërmjet konsultimit me sisteme të tjera informatike.
Për ripërtëritjen e lejes unike, në rastet kur kërkohet miratimi për punësim, ndiqet e njëjta procedurë si në rastin e kërkesës për miratim për punësim për herë të parë, me përjashtim të shpalljes së vendit të lirë të punës.
Në rast se miratimi për punësimin e një të huaji revokohet, autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA-së njofton në sistemin elektronik online për revokimin e miratimit për punësim.
Autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin dhe autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA-së shkëmbejnë informacione për rastet kur ka ndryshim të kushteve të punësimit apo kur AKPA-ja refuzon të japë miratimin për punësimin e një të huaji.
Verifikimi i dokumentacionit të paraqitur online për miratimin e lejes unike bëhet nga autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin.
Drejtori i përgjithshëm i AKPA-së përcakton personat përgjegjës për miratimin ose refuzimin e kërkesës në strukturën qendrore/rajonale.
Udhëzimi i përbashkët i Ministrit të Brendshëm dhe i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 3, datë 11.1.2023, “Mbi bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme dhe autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për përcaktimin e procedurave për miratimin e lejes unike”, shfuqizohet.
Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
