Poliçani rrezikon shkrirjen: Kritika të forta nga Zotkaj

Rama e Përjashtoi nga Mbledhja, Zotkaj Reagon: Do të Jetë Turp për Kuvendin nëse Shkrihet Bashkia e Poliçanit

Artikulli i publikuar më 21.08.2026 nga Shek

Këshilli Bashkiak i Poliçanit u mblodh sot për të diskutuar Reformën Territoriale, ku sipas draftit të Partisë Socialiste parashikohet shkrirja e kësaj bashkie me atë të Beratit. Në mbledhje mori pjesë edhe kryebashkiaku Adriatik Zotkaj, i cili në mbledhjen e fundit me kryeministrin Edi Rama, pati një konflikt dhe u nxor jashtë sallës nga ky i fundit.

Sot, Zotkaj nuk kurseu kritikat, duke deklaruar se do të ishte një turp nëse Parlamenti do të votonte shkrirjen e bashkisë Poliçan.

“Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”, deklaroi Zotkaj, duke theksuar se ndryshimi i statusit të një bashkie duhet të bëhet me pëlqimin e komunitetit.

Zotkaj ka marrë mbështetjen e 15 këshilltarëve për këtë qëndrim, të cilët kanë paralajmëruar se do të japin dorëheqjen në rast miratimi të shkrirjes.

Partia Socialiste ka propozuar një draft për Reformën Territoriale, ku parashikohet ulja e numrit të bashkive nga 61 në 46. Reduktimi, sipas PS-së, do të bëhet duke shkrirë bashkitë e vogla me ato të mëdha. Ky propozim ka hasur kundërshtimin e shumë zyrtarëve vendorë, madje edhe të atyre që vijnë nga radhët e së majtës.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje me kryebashkiakët javën e kaluar, ku pati përplasje pikërisht me Adriatik Zotkajn, të cilin edhe e nxorri nga salla para përfundimit të takimit.

Scroll to Top