Kryeministri i Maqedonisë së Veriut në Pustec, nuk u ekzekutua himni shqiptar për herë të dytë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ndodhet në Pustec për një vizitë zyrtare, ku po merr pjesë në një festival.
Gjatë ceremonisë, për të dytën herë brenda një periudhe të shkurtër, nuk është ekzekutuar himni kombëtar shqiptar. Sipas protokollit shtetëror, në aktivitete ku marrin pjesë përfaqësues të dy shteteve, pritet të ekzekutohen himnet kombëtare përkatëse.
Në këtë rast, fillimisht duhej të ekzekutohej himni i Shqipërisë dhe më pas ai i Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, gjatë ceremonisë së sotme në Pustec është ekzekutuar vetëm himni maqedonas.
Ky është rasti i dytë brenda pak kohësh që në një aktivitet ku merr pjesë kryeministri Mickoski në Pustec nuk ekzekutohet himni shqiptar, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e protokollit shtetëror në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në aktivitet është i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski. Pranë tij është parë edhe Edmond Themelko, ish-kryetar i Bashkisë Pustec dhe organizator i aktivitetit.
Mbetet e paqartë arsyeja se përse në ceremoninë e sotme nuk është ekzekutuar himni kombëtar shqiptar, ndërsa është luajtur vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.
