Himni Shqiptar Ignorohet në Pustec: Kryebashkiaku Shprehet

Himni Shqiptar ‘Harrohet’ Gjatë Vizitës së Mickoskit në Pustec, Kryebashkiaku Shprehet: Kërkova që të Luhej edhe Himni Shqiptar Pas Atij Maqedonas, Por…

Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, ka reaguar pas zhvillimit të Festivalit Folklorik Maqedonas, ku për të dytën herë nuk u ekzekutua himni kombëtar shqiptar, ndërkohë që u luajt vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.

Kolefski ka kërkuar ndjesë për situatën, duke sqaruar se Bashkia Pustec nuk ka qenë organizatore e aktivitetit. Ai u shpreh se, pasi kishte parë programin e festivalit, u kishte kërkuar organizatorëve që në ceremoninë e hapjes të ekzekutohej edhe himni shqiptar.

“Para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët programin zyrtar. Më kanë thënë që do të kishte këngë e valle tradicionale maqedonase dhe se aktiviteti do të hapej me himnin maqedonas. I kam kërkuar që, në momentin që do të ekzekutohej himni maqedonas, të ishte patjetër edhe himni shqiptar,” tha Kolefski.

Kryebashkiaku theksoi se himni shqiptar duhet të respektohet në çdo aktivitet zyrtar që zhvillohet në territorin e Shqipërisë.

“Ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni,” deklaroi ai, duke shtuar se kërkon ndjesë për situatën, edhe pse, sipas tij, përgjegjësia për organizimin nuk i takon Bashkisë Pustec.

“Kërkoj ndjesë, vërtet, pavarësisht se nuk më takon mua, sepse s’kam qenë organizator si Bashkia e Pustecit. Kemi qenë të ftuar në këtë koncert. Megjithatë, kërkoj ndjesë. Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë,” tha Kolefski.

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Sipas raportimeve nga aktiviteti, gjatë ceremonisë është ekzekutuar vetëm himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa himni shqiptar nuk është përfshirë në program.

Rasti ka shkaktuar reagime, pasi aktiviteti u zhvillua në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në prani të përfaqësuesve të lartë të dy vendeve. Ndërkohë, në aktivitet është parë edhe Edmond Themelko, ish-kryetar i Bashkisë Pustec, i cili raportohet si një nga organizatorët e aktivitetit.

Scroll to Top