“Duhet bërë sa më parë” / Propozimi i papritur i Braçes: Duhet të heqim betonin e Tiranës!
Deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me temperaturat e larta që kanë prekur vendin, si dhe me betonizimin e kryeqytetit. Nga zona e njohur si “Xhamlliku”, Braçe ka theksuar se mbizotërimi i betonit ndikon në nxehtësinë më të lartë të kësaj lagjeje gjatë ditëve të verës.
Sipas tij, zgjidhja qëndron në heqjen e betonit të tepërt në të gjithë kryeqytetin dhe krijimin e më shumë zonave të gjelbërta. Ai shtoi:
“Sot nuk është dita më e nxehtë. Aty në hije tregon 27-28 gradë, ndërkohë që këtu në këtë sipërfaqe të degraduar betoni, me pemë që kanë mbaruar dhe nuk hijezojnë më asgjë, temperatura është 31, 32, 33 gradë dhe është ora vetëm 08:10 e mëngjesit. Në fasadat e këtyre pallateve është akoma dhe më keq. Suva të bëra… ku di unë, e të rinovuara disa vite më parë kur u bë ky sheshi, por në struktura pallatesh të ndërtuar para 50-55 vitesh. Çfarë i duhet Tiranës? Të heqë betonin e tepërt si këtu dhe të kthejë sipërfaqet e gjelbërta në tokë. Sa më parë të jetë e mundur. Kjo është ajo që po bën gjithë Evropa. Kjo është ajo që duhet të bëjë bashkia e Tiranës dhe do e bëjmë me bashkinë e Tiranës. Duhet të heqim betonin e tepërt që i jep nxehtësi këtyre lagjeve dhe të gjithë Tiranës.”
