Liderët evropianë kanë mbërritur në Kiev, ndërsa Bashkimi Evropian miraton një paketë ndihme prej 6.1 miliardë eurosh për Ukrainën.
Kievi u kthye sot në qendër të vëmendjes evropiane, pasi një grup liderësh ndërkombëtarë mbërritën në kryeqytetin ukrainas për të marrë pjesë në ceremonitë e festimit të 35-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Mes zyrtarëve të pranishëm në ceremoninë e sotme, sipas ministrit të Jashtëm ukrainas Andriy Sibikha, ishin Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri britanik Andy Burnham.
Në kryeqytetin ukrainas kanë udhëtuar gjithashtu kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, si dhe presidenti i Estonisë, Alar Karis.
Ministri Sibikha publikoi në rrjetin social X fotografi nga mbërritja e delegacioneve në stacionin e trenit në Kiev.
Vizita e liderëve evropianë zhvillohet në një moment të tensionuar për Ukrainën, teksa sulmet ruse ndaj territorit të saj vijojnë.
Në të njëjtën ditë, Bashkimi Evropian ka njoftuar një paketë të re prej 6.1 miliardë eurosh për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës. Fondet do të përdoren për furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa, municione dhe radarë.
Sipas BE-së, kjo shumë i shtohet rreth 16 miliardë eurove në ndihmë ushtarake të miratuara më parë për Ukrainën, nga të cilat 8.35 miliardë euro janë disbursuar tashmë.
“Ndërsa Rusia intensifikon sulmet e saj, ne po ndërmarrim veprime për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë popullin e saj dhe qiellin e saj. Evropa qëndron me Ukrainën dhe ne do t’i ofrojmë asaj atë që i nevojitet, kur të ketë nevojë”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Mbërritja e liderëve në Kiev dhe paketa e re financiare e BE-së shihen si një tjetër sinjal i mbështetjes politike dhe ushtarake të Evropës për Ukrainën, në një kohë kur lufta me Rusinë vijon prej më shumë se katër vitesh.
