Rënia e Çmimeve të Naftës: Arsyet dhe Parashikimet

Nafta vazhdon të bjerë për të katërtën ditë radhazi, me çmimin që ka pësuar rënie mbi 7% gjatë javës.

Çmimet e naftës kanë vijuar trendin zbritës për të katërtën ditë radhazi, ndërkohë që tregjet po analizojnë mundësinë e rritjes së flukseve të energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit. Ky zhvillim vjen në një kohë kur përshkallëzimi i konfliktit Rusi-Ukrainë po kërcënon prodhimin dhe eksportet ruse.

Nafta Brent ka regjistruar një rënie prej 0.46%, duke u tregtuar në rreth 87.46 dollarë për fuçi, dhe duke pësuar një humbje prej më shumë se 7% gjatë javës. Po kështu, nafta amerikane WTI ka rënë me 0.46%, duke u tregtuar pranë 81.80 dollarëve për fuçi.

Në fillim të javës, çmimet ishin rritur të mërkurën pas lajmeve se presidenti rus Vladimir Putin mund të përshkallëzojë luftën në Ukrainë. Megjithatë, këto fitime u përmbysën pas njoftimit për një marrëveshje mes Iranit dhe Omanit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, e cila përfshin edhe një marrëveshje për ndarjen e të ardhurave.

Tregu ka qenë nën presion gjatë gjithë javës, pasi janë shtuar pritshmëritë për një marrëveshje mes Iranit dhe Omanit. Ndërkohë, masat ekonomike të shpallura nga SHBA-ja kundër Teheranit dhe partnerëve të tij tregtarë rezultuan më pak të ashpra nga sa kishte parashikuar tregu.

Pavarsisht rënies së ditëve të fundit, çmimet e naftës bruto mbeten mbi 40% më të larta krahasuar me fillimin e vitit, pasi konflikti gjashtëmujor ka kufizuar ndjeshëm furnizimet me energji nga Gjiri Persik.

Analisti i energjisë në MST Marquee, Sol Kavonic, shpjegoi se tregu ka filluar të përfshijë në çmime edhe mundësinë e një armëpushimi të ri. Bisedimet mes Omanit dhe Iranit konsiderohen si një hap potencial drejt një marrëveshjeje më të gjerë mes Teheranit dhe Uashingtonit. Megjithatë, investitorët mbeten të kujdesshëm.

Përpjekjet e mëparshme për uljen e tensioneve kanë dështuar dhe tregu kërkon prova më konkrete se një marrëveshje e qëndrueshme mund të arrihet.

Scroll to Top