Tragjedi në një familje shqiptare në SHBA: Zjarri përfshin banesën, 3 fëmijë humbin jetën, 4 persona në gjendje kritike
Një ngjarje e rëndë tragjike ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës. Tre fëmijë kanë ndërruar jetë si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu banesën e tyre dykatëshe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht. Katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, aktualisht ndodhen në gjendje kritike në spital.
Bilanci i tragjedisë është konfirmuar nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden. Zjarri ka shpërthyer rreth orës 05:15 në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë i banesës ishte plotësisht i përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym të dendur.
Dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga banesa para mbërritjes së forcave zjarrfikëse. Gjatë kontrollit të brendshëm të ndërtesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijë të tjerë pa shenja jete.
Një fqinj ka deklaruar për mediat amerikane se banorë të zonës u angazhuan në përpjekjet për shpëtim, duke nxjerrë nga një dritare e katit të dytë një foshnjë dhe një të rritur. Të afërm që mbërritën në vendngjarje konfirmuan për mediat lokale se familja është me origjinë nga Shqipëria. Në vendngjarje ishin edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari.
Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë momentet e dhimbshme të familjarëve pranë banesës së shkatërruar nga zjarri. Fotot nga vendngjarja pasqyrojnë dëmin e madh të shkaktuar nga flakët, ndërsa në oborr dallohen ende lodra fëmijësh dhe një kosh basketbolli.
Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:40. Flakët shkaktuan dëme të konsiderueshme në banesë dhe prekën gjithashtu dy apartamente ngjitur. Kryqi i Kuq Amerikan ka ofruar ndihmë për personat që kanë mbetur pa strehë.
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili ende nuk është bërë i ditur. Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjarëve të tre fëmijëve që humbën jetën dhe ka shprehur solidaritet me personat e plagosur.
