Inspektoriat Tatimor Evropian në Shqipëri: Bashkëpunim dhe Heptime

Projektligji i ri: Inspektoriat tatimor evropian mund të marrë pjesë në hetime në Shqipëri

Shqipëria po përgatit një bazë ligjore që do t’u mundësojë administratave tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian të marrin pjesë në hetime brenda territorit shqiptar dhe të kryejnë auditime të përbashkëta me Tatimet shqiptare. Një dispozitë e rëndësishme e projektligjit thekson se informacioni nuk do të mund të refuzohet vetëm për faktin se mbahet nga një bankë apo institucion financiar.

Ky regjim i ri do të hyjë në fuqi nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Parashikimet e projektligjit, të titulluar “Për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor”, janë hartuar për përafrimin me Direktivën 2011/16/BE (DAC 1).

Relacioni që shoqëron draftin sqaron se legjislacioni aktual “nuk përmban një kuadër të konsoliduar” që mbulon të gjitha format e bashkëpunimit të parashikuara nga direktiva, duke përfshirë auditimet e përbashkëta dhe kontrollet e njëkohshme.

Sipas projektligjit, me kërkesë të një autoriteti tatimor të një shteti anëtar, nëpunësit e tij të autorizuar mund të jenë të pranishëm në zyrat e administratës tatimore shqiptare, të ndjekin hetime administrative në Shqipëri ose të marrin pjesë në to elektronikisht. Gjatë hetimeve, ata do të kenë mundësinë të intervistojnë individë dhe të shqyrtojnë të dhëna, dokumente dhe regjistra, sipas procedurave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT).

Projektligji gjithashtu krijon procedurën për kontrolle të njëkohshme dhe auditime të përbashkëta. DPT dhe një ose më shumë administrata tatimore të BE-së mund të kryejnë inspektime në territorin e tyre për persona që paraqesin interes të përbashkët ose plotësues. Secila palë duhet t’i përgjigjet një propozimi për auditim të përbashkët brenda 60 ditëve.

Në rastin kur një auditim i përbashkët zhvillohet në Shqipëri, zyrtarët e huaj do të veprojnë në prani dhe nën drejtimin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e Tatimeve shqiptare. Ata mund të intervistojnë persona dhe të shqyrtojnë dokumente së bashku me nëpunësit e DPT-së. Provat e mbledhura do të trajtohen sipas të njëjtave kushte juridike si ato të siguruara në një auditim të kryer vetëm nga administrata shqiptare.

Një tjetër dispozitë e rëndësishme kufizon arsyet për refuzimin e një kërkese nga një administratë e BE-së. Projektligji përcakton shprehimisht se DPT “nuk mund të refuzojë dhënien e informacionit vetëm për shkak se ky informacion mbahet nga një bankë, një institucion tjetër financiar”, apo sepse lidhet me interesa pronësorë të një personi.

Ky mekanizëm shkon paralelisht me shkëmbimin automatik të informacionit. DPT do t’u komunikojë administratave të vendeve anëtare të dhënat për rezidentët e tyre tatimorë, duke përfshirë të ardhurat nga punësimi dhe bordet drejtuese, pensionet, pronësinë dhe të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme, honoraret dhe kategori të caktuara dividendësh. Shkëmbimi automatik duhet të mbulojë të paktën pesë kategori dhe të kryhet të paktën një herë në vit.

Relacioni vë në dukje se kuadri i ri synon rritjen e pajtueshmërisë tatimore, reduktimin e mundësive për evazion dhe shmangie tatimore, si dhe rritjen e efektivitetit të kontrolleve. Dokumenti e lidh projektligjin me përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në Kapitullin 16, “Tatimet”, të procesit të integrimit në BE.

Mosbashkëpunimi me procedurat e reja do të shoqërohet me sanksione. Pengimi ose refuzimi gjatë një hetimi administrativ, kontrolli të njëkohshëm apo auditimi të përbashkët parashikohet të dënohet me gjobë nga 300 mijë deri në 1 milion lekë. Gjithashtu, ka gjoba të veçanta për mosparaqitjen e informacionit dhe raportimin e të dhënave të pasakta.

Ngritja e sistemit do të ketë edhe një kosto financiare. Sipas relacionit, infrastruktura teknologjike e nevojshme për shkëmbimin elektronik të informacionit me vendet e BE-së do të kërkojë 80 milionë lekë, të financuara nga buxheti i shtetit. Efektet e tij fillojnë në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sipas Traktatit të Anëtarësimit.

Scroll to Top