Fondet e investimit shënojnë rritje
Tregu i fondeve të investimit u rrit për të tretin vit radhazi në vitin 2025. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve në fund të vitit të kaluar arritën në 62.5 miliardë lekë. Vlera neto e aseteve është rritur me 12.8% krahasuar me një vit më parë.
Norma e rritjes u ngadalësua nga niveli prej 21.8% i vitit 2024, por megjithatë ky treg po vijon një tendencë të qëndrueshme në rritje, duke filluar nga viti 2023. Shifrat e mësipërme nuk përfshijnë fondet e investimeve alternative, të cilat ofrohen vetëm për investitorët profesionistë.
Në vitin 2022, tregu u përball me një sfidë të rëndësishme, të shkaktuar nga rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve në tregun financiar. Duke qenë se fondet e investimit investojnë kryesisht në instrumente borxhi, rritja e interesave zhvlerësoi portofolin e titujve të mbajtur prej tyre, solli ulje të vlerës së aseteve dhe tërheqje të konsiderueshme të anëtarëve nga fondet.
Pas vitit 2023, vlera e aseteve i është kthyer rritjes dhe numri i anëtarëve gjithashtu, duke e vendosur tregun në një fazë rikuperimi gradual, paralelisht me përmirësimin e normave të kthimit të ofruara nga këto fonde.
Numri i anëtarëve në fund të vitit të kaluar arriti në 42,116, duke u rritur me 11.5% krahasuar me fundin e vitit 2024. Nëse vlera e aseteve nuk është rikthyer ende në nivelet e vitit 2022, numri i investitorëve aktualisht është në nivelet më të larta historike.
Fondet e investimit në Lek i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare). Në fund të vitit 2025, obligacionet dhe bonot përbënin rreth 81% të vlerës së aseteve neto të fondeve të investimit. Fondet në valutë kanë një gamë pak më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe të shoqërive tregtare. Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët.
Në treg janë aktive 14 fonde investimi, të administruara nga gjashtë shoqëri të ndryshme administruese. Tregu ngelet i dominuar kryesisht nga fondet e administruara nga shoqëria administruese Raiffeisen Invest.
Ulen kthimet për fondet që investojnë në borxh, rriten për ato që investojnë në aksione
Shifrat e raportuara nga shoqëritë administruese tregojnë se performanca e fondeve të investimit në Lek në muajt e fundit po shënon tendencë në rënie, çka mund të lidhet kryesisht me rritjen e normave të interesit. Fondet e investimit janë likuide dhe janë të detyruara t’i vlerësojnë asetet me vlerë të drejtë tregu, me bazë ditore. Rritja e yield-it sjell ulje të çmimit të titujve të borxhit në portofolin e fondeve, duke ndikuar negativisht vlerën e aseteve.
Për muajin qershor 2026, fondi më i madh i investimeve në Lek, Raiffeisen Prestigj, raportoi një kthim vjetor pozitiv në masën 1.75%, nga 5.79% që kishte qenë një vit më parë dhe 2.58% që e pati mbyllur vitin 2025. Edhe fondi tjetër i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, në fund të muajit qershor raportonte kthim vjetor pozitiv, në masën 1.89%, nga 9.35% një vit më parë dhe 3.77% që e kishte mbyllur vitin 2025. Fondi Credins Premium në fund të muajit qershor raportoi një kthim vjetor nga investimi në masën 2.24%, nga 9.9% një vit më parë dhe 4.72% i fundit të vitit 2025. Fondi Albsig Standard në qershor raportoi një kthim 4.08%, nga 8.17% një vit më parë, ndërsa në fund të vitit 2025, kthimi vjetor pati arritur në 4.9%.
Mes fondeve në Euro, Raiffeisen Miks në muajin qershor kishte një kthim vjetor në masën 9.1% (nga 4.91% një vit më parë dhe 5.8% në fund të 2025-s), ndërsa Raiffeisen Invest Euro, një kthim vjetor në masën 1.64% (nga 4.85% një vit më parë dhe 2.98% në fund të 2025). Fondi Raiffeisen Solid në fund të qershorit të këtij viti ofronte një kthim vjetor 4.38%, nga -0.37% në fund të vitit 2025.
Ndërkohë, fondet e angazhuara në investime në aksione po shfaqin ecuri ndjeshëm më të mirë. Fondi në Lek, WVP Top Invest, në fund të qershorit ofronte kthim në masën 8.58%, nga -1.83% një vit më parë dhe 5.02% në fund të vitit 2025. Ndërsa, fondi në Euro, WVP Global në fund të qershorit ofronte kthim vjetor në masën 30.79%, nga -1.51% një vit më parë dhe 7.49% në fund të vitit 2025.
Fondet e angazhuara në investime në aksione, në përgjithësi kanë luhatshmëri më të lartë, krahasuar me fondet e investimit në instrumente borxhi, siç duket nga diferencat e mëdha në normat e kthimit.
