A ia vlen të blesh një shtëpi për ta dhënë me qira?
Tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme, në përgjithësi, ofron kthime modeste nga blerja e pronave për t’i dhënë me qira.
Edhe pse çmimet e qirave janë rritur në vitet e fundit, duke ndjekur tendencat e rritjes së çmimeve të shitjes dhe duke u nxitur veçanërisht nga kërkesa në rritje për qira ditore si pasojë e turizmit, niveli i kthimit nga investimi mbetet i dobët në krahasim me standardet referuese.
Sipas të dhënave të AirDNA, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, të ardhurat mujore mesatare nga qiradhënia për pronat e listuara në Airbnb në Tiranë ishin 765 euro në muaj, ose 9180 euro në vit (në terma bruto).
Ndërkohë, sipas indeksit Keydata Albania, çmimi mesatar i shitjes në Tiranë, në mes të vitit aktual, ka arritur në 2100 euro për metër katror.
Nëse vlerësojmë një apartament me sipërfaqe mesatare rreth 80 m², çmimi i blerjes do të rezultonte rreth 168 mijë euro (pa përfshirë shpenzimet e mobilimit).
Mbi këto shifra, kthimi vjetor nga qiraja rezulton rreth 5.5%, por kjo vlerësohet gjithmonë në terma bruto.
Nëse do të merrnim parasysh shpenzimet e mobilimit, mirëmbajtjes, taksat, kostot, si edhe amortizimin e banesës dhe mobilimit, kthimi neto do të ishte ndjeshëm më i ulët se 5%.
Bazuar në këto shifra, koha e kthimit bruto nga investimi nëpërmjet qiradhënies do të ishte minimalisht 19 vjet. Ndërkombëtarisht, koha optimale e kthimit nga investimi në një pronë, nëpërmjet qiradhënies, është 12 deri në 15 vjet.
Rrjedhimisht, mund të konkludojmë se kthimi nga qiradhënia në tregun e banesave në Shqipëri nuk është shumë tërheqës.
Për krahasim, aktualisht, yield-i i obligacioneve 20-vjeçare të qeverisë shqiptare është 6.5%, ndërsa ai i obligacioneve 15-vjeçare është 6.22%, me tendencë në rritje. Kjo tregon se instrumentet financiare me rrezik zero ofrojnë kthime më të larta se kthimi mesatar bruto nga investimi nëpërmjet qiradhënies së një banese.
