PS Vlorë: Erjona Ismaili jep dorëheqjen, Kaso uron suksese

Lëvizje në PS/ Ismaili jep dorëheqjen si bashkëkryetare e partisë në Vlorë, Kaso për SHEKULLI-n: Uroj të ngjisë sa më shumë shkallë drejtuese…

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së Partisë Socialiste në Vlorë. Ismaili e ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se dorëheqja vjen si pjesë e fazës së fundit të riorganizimit të strukturave të Partisë Socialiste.

Ajo e ka mbajtur këtë detyrë për rreth 1 vit e 3 muaj, pasi u emërua bashkëkryetare e PS-së në Vlorë në korrik 2025, së bashku me Klevis Kason. Kaso aktualisht mban edhe postin e drejtorit të Ujësjellësit në Vlorë.

“Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës”, ka deklaruar Ismaili.

Ajo ka falenderuar socialistët, drejtuesit dhe bashkëpunëtorët me të cilët ka punuar gjatë kësaj periudhe, duke e cilësuar drejtimin e strukturës së PS-së në Vlorë si njëkohësisht “privilegj dhe përgjegjësi”.

Në postimin e Ismailit bie në sy mungesa e çdo përmendjeje për bashkëkryetarin tjetër të PS-së, Kason. Ndërkohë, në një komunikim për Shekullin, Klevis Kaso u shpreh se me Ismailin kanë pasur një marrëdhënie korrekte gjatë bashkëdrejtimit të PS-së së Vlorës dhe se i uron suksese të mëtejshme në detyrat që do t’i besohen.

“E falenderoj Erjonën për bashkëdrejtimin gjatë kësaj periudhe dhe i uroj suksese të mëtejshme në rrugëtimin e saj politik, duke i dëshiruar të ngjisë sa më shumë shkallë drejtuese. Do ta cilësoja këtë periudhë si një marrëdhënie korrekte dhe bashkëpunuese, me synimin e përbashkët për të çuar përpara Partinë Socialiste të Vlorës. Sa i përket zgjedhjeve të reja në strukturat e PS Vlorë, do të njoftoheni sapo vendimet të merren nga Kryesia, duke ruajtur komunikimin korrekt me median, i cili na ka karakterizuar gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Kaso për SHEKULLI-n.

POSTIMI I PLOTË I ISMAILIT:

“Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi që, për 1 vit e 3 muaj, të drejtoja si bashkëkryetare Partinë Socialiste të Vlorës, falë besimit dhe mundësisë së dhënë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Një detyrë që jam përpjekur ta ushtroj me përkushtim, korrektësi dhe integritet, e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart drejtimi dhe përfaqësimi i një strukture kaq të rëndësishme.

Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës.

Faleminderit çdo socialisti, anëtari, drejtuesi dhe bashkëpunëtori për mbështetjen, besimin dhe punën e përbashkët gjatë kësaj periudhe, duke më nxitur të jap më të mirën dhe të kontribuoj për një model drejtimi të bazuar te puna, përgjegjësia dhe respekti për njerëzit. Mirënjohëse për këtë kapitull dhe për gjithçka ndërtuam së bashku.”

Scroll to Top