Rama: Konferencë për “Shqipëria Sociale” në Nëntor

Takimi me ministrat dhe drejtuesit politikë, Rama: Në nëntor konferencë e posaçme për “Shqipëria Sociale”

Publikuar më 28.08.2026

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas takimit që zhvilloi ditën e sotme me ministrat, drejtuesit politikë, zëvendësministrat dhe deputetët. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se takimi i sotëm ishte vijim i atyre në Pogradec, me qëllim detajimin e sezonit të ri politik.

Rama shton se çështje kryesore kanë qenë, ndër të tjera, “PasqyrAlbania” dhe “Shqipëria Sociale”. Për këtë të fundit, Rama njofton se do të zhvillohet edhe një konferencë e posaçme në nëntor.

“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri – deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore, si edhe hartimi i ndryshimeve ligjore për PasqyrAlbania. Po ashtu u diskutua progresi i bërë me hartimin e nismës së integruar Shqipëria Sociale, të cilës do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor”, shkruan Rama.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe kishte karakter politik e organizativ, ndërsa në të morën pjesë drejtues politikë dhe ministra të kabinetit qeveritar.

Kujtojmë se takimi u zhvillua në një vilë qeveritare pranë Fshatit SOS, edhe pse ishte parashikuar të zhvillohej në selinë e Partisë Socialiste. Zhvendosja u bë për shkak se qytetarët paralajmëruan protesta pranë selisë rozë.

Scroll to Top