SHBA-Iran përshkallëzojnë konfliktin në Ngushticën e Hormuzit

**Përshkallëzohet konflikti, SHBA dhe Irani shkëmbejnë sërish sulme ajrore në Ngushticën e Hormuzit**

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar pas një sulmi amerikan ndaj dy raketahedhësve në ishullin Larak, në Ngushticën strategjike të Hormuzit. Sipas Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), sulmi amerikan shkaktoi dy viktima dhe dy të plagosur. Garda iraniane deklaroi se ka rrëzuar gjithashtu një dron amerikan mbi Ngushticën e Hormuzit dhe u zotua për “përgjigje dhe ndëshkim”.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se kishte ndërmarrë “veprime të kufizuara dhe të sakta” kundër forcave iraniane, të cilat, sipas Uashingtonit, po vendosnin mina dhe përbënin një kërcënim të menjëhershëm për lundrimin në Hormuz.

Irani kundërpërgjigjet me raketa

Përgjigjja e Teherani erdhi disa orë më vonë. Mediat shtetërore iraniane raportuan se IRGC kishte lëshuar raketa balistike drejt bazave amerikane King Hussein dhe al-Azraq në Jordani. Ushtria jordaneze njoftoi se kishte interceptuar tetë raketa gjatë orëve të para të së hënës.

Ndërkohë, IRGC pretendoi se sulmet shkaktuan “dëme të rënda” në objektet amerikane, duke përfshirë infrastrukturën teknike, zonat e mirëmbajtjes dhe pozicionet e avionëve luftarakë. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se Teherani nuk kërkon luftë, por do t’u japë “një përgjigje vendimtare agresorëve”. Zëdhënësi i IRGC-së, Hossein Mohebbi, e cilësoi sulmin amerikan si një “gabim strategjik dhe fatal”, duke paralajmëruar se SHBA-ja do të përballet me pasoja si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak.

Hormuzi, në qendër të përplasjes

Ishulli Larak ndodhet pranë portit strategjik të Bandar Abbas dhe pikërisht në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë. Para fillimit të luftës, rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë transportohej përmes kësaj ngushtice. Për këtë arsye, çdo përshkallëzim ushtarak në zonë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në tregjet globale të energjisë dhe transportin detar.

Sulmi në Larak është goditja e parë e njohur amerikane ndaj Iranit që nga fundi i korrikut, kur Presidenti Donald Trump ndaloi një fushatë të ripërtërirë ushtarake kundër Teheranit. Përplasja e fundit vjen në një kohë kur Irani po përballet edhe me presion të shtuar ekonomik, pasi Uashingtoni ka zgjeruar sanksionet ndaj Teheranit dhe aleatëve të tij. Ndërkohë, kërcënimet e ndërsjella për Ngushticën e Hormuzit rrisin frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Scroll to Top