Debat Ministri: 50 Milionë Lekë për Shoqërinë e Pyjeve

Kërkohen 50 milionë lekë për ngritjen e Shoqërisë së Pyjeve, debat mes Ministrive të Financave dhe Mjedisit

Rreth 50 milionë lekë parashikohet të shpenzohen nga qeveria për ngritjen e Shoqërisë Shtetërore të Pyjeve, por efektet financiare të kësaj nisme kanë shkaktuar debat mes ministrive.

Ministria e Mjedisit ka propozuar krijimin e një Shoqërie Shtetërore të Pyjeve (SHSHP sh.a.), një shoqëri aksionare me 100% kapital shtetëror. Në relacionin e projektligjit “Për krijimin dhe funksionimin e shoqërisë shtetërore të pyjeve” të hartuar nga Ministria e Mjedisit, përcaktohet se veprimtaria e shoqërisë aksionare do të ushtrohet pa cenuar kompetencat e pushtetit vendor dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse për pyjet. Ndërkohë, Ministria e Mjedisit, në relacionin e draftit, argumenton se krijimi i shoqërisë nuk do të sjellë mbivendosje kompetencash me institucionet e tjera dhe se roli i saj do të jetë mbështetës ndaj pushtetit vendor në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.

Megjithatë, Ministria e Financave, edhe pse është shprehur dakord me projektligjin për krijimin e shoqërisë aksionare me 100% kapital shtetëror, ka ngritur shqetësime për kostot shtesë që kjo nismë mund t’i sjellë buxhetit të shtetit. Në vëmendje është veçanërisht kapitali fillestar prej 50 milionë lekësh, për të cilin Ministria e Financave kërkon të bëhen të qarta përllogaritjet dhe burimi i financimit.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo politikë e re nuk është diskutuar dhe nuk është përfshirë në tavanet e Planifikimit Buxhetor Afatmesëm (PBA) për vitet 2026–2028 dhe në buxhetin e vitit 2026. Financat kërkojnë gjithashtu të sqarohet se ku janë parashikuar konkretisht këto fonde në programin “Administrimi i pyjeve”.

Ministria e Mjedisit argumenton se vërejtjet e Ministrisë së Financave janë marrë në konsideratë gjatë rishikimit të projektligjit. Sipas saj, projektligji është ripunuar në tërësi, duke reflektuar komentet e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë. Edhe relacioni shoqërues është rishikuar në përputhje me ndryshimet e bëra, duke adresuar çështjet e ngritura nga Ministria e Financave, përfshirë burimet e financimit, periudhën tranzitore dhe autonominë e pushtetit vendor.

Nga ana tjetër, qeveria argumenton se krijimi i Shoqërisë Shtetërore të Pyjeve synon të adresojë një sërë problematikash të sektorit, përfshirë mungesën e koordinimit, monitorimit dhe planifikimit afatgjatë. Sipas relacionit, mungesa e fidanishteve shtetërore dhe e një strukture të dedikuar me kapacitete të mjaftueshme për monitorimin dhe inventarizimin e pyjeve ka kufizuar ndërhyrjet e qëndrueshme në këtë sektor. Projektligji synon konsolidimin e këtyre funksioneve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, pa cenuar kompetencat e pushtetit vendor në administrimin e fondit pyjor.

Një tjetër problem i evidentuar është shfrytëzimi i pakontrolluar dhe informal i burimeve pyjore, që sipas qeverisë ka sjellë degradim të ekosistemeve dhe humbje të vlerave natyrore. Nëpërmjet modelit të ri të menaxhimit, qeveria synon të ndërthurë mbrojtjen e pyjeve me zhvillimin ekonomik, duke rritur potencialin e sektorit për të gjeneruar të ardhura dhe për të kontribuar në zhvillimin rural.

Scroll to Top