ALPEX lidh kontratë 2.97M€ për platformat energjisë Shqipëri-Kosovë

ALPEX lidh kontratë 2.97 milionë euro për platformat e tregtimit Shqipëri-Kosovë

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) ka nënshkruar një kontratë me vlerë 284.65 milionë lekë pa TVSH, ekuivalente me rreth 2.97 milionë euro, për krijimin e platformave elektronike të tregtimit dhe klerimit për tregjet e energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës. Ky zhvillim u bë i ditur së fundmi në sistemin e prokurimeve, ku ALPEX kishte hapur më parë procedurën përkatëse.

Kontrata u finalizua më 24 gusht me një konsorcium të përbërë nga operatorët Nord Pool AS, i cili zotëron 85% të pjesëmarrjes, dhe Nord Pool European Market Coupling Operator AS, me 15%. Të dyja kompanitë kanë selinë në Oslo, Norvegji.

Vlera përfundimtare e kontratës, 284.65 milionë lekë, është nën fondin limit të parashikuar prej 300 milionë lekësh, i cili në dokumentet e procedurës ishte llogaritur në rreth 3.13 milionë euro.

Objekti kryesor i kontratës është ofrimi i platformave elektronike të avancuara për tregtimin dhe klerimin e transaksioneve në tregjet e energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për bashkimin e këtyre tregjeve. Sipas kushteve të përcaktuara, shërbimi do të mbështesë funksionimin e tregjeve aktuale të energjisë elektrike, si tregu ditor në avancë dhe tregu brenda ditës, duke përfshirë edhe integrimin e ALPEX me tregje të tjera dhe mundësinë e tregtimit të vazhdueshëm.

Platforma e tregtimit do të përfshijë:

  • Të drejtat e licencës dhe mirëmbajtjes.
  • Akses në zgjidhjet për bashkimin evropian të tregjeve të energjisë, të njohura si SDAC (Single Day-Ahead Coupling) dhe SIDC (Single Intraday Coupling).
  • Infrastrukturën e nevojshme për sistemet e prodhimit, testimit dhe rezervës.

Sipas kalendarit të tenderit, platformat duhet të dorëzohen në ambientin e testimit brenda 127 ditëve nga hyrja në fuqi e kontratës, ndërsa dorëzimi në ambientin funksional duhet të bëhet brenda 176 ditëve.

Dokumentet e kontratës parashikojnë, gjithashtu, në mënyrë indikative, integrimin me SDAC gjatë tremujorëve të parë deri të tretë të vitit 2028 dhe me SIDC gjatë gjysmës së parë të vitit 2029.

Scroll to Top