BE ndalon tanker rus në Mesdhe për shitje ilegale nafte

Aksion në Mesdhe: BE-ja ndalon dhe kontrollon një tanker të dyshuar si pjesë e “flotës në hije” ruse

Forcat detare të Bashkimit Evropian kanë zbarkuar në bordin e tanker-it MV SUN në Mesdhe, pasi anija dyshohet se është pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” ruse.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi se operacioni u krye më 30 gusht nga forcat e misionit EUNAVFOR MED Irini. Sipas saj, anija dyshohet se lundronte nën një flamur të rremë, duke shkelur kështu ligjin ndërkombëtar detar.

“MV SUN, i dyshuar se lundronte nën një flamur të rremë, u hip në bord për të kontrolluar flamurin e tij,” deklaroi Kallas përmes një postimi në platformën X.

“Shitjet ilegale të naftës nga anijet e flotës në hije janë një linjë jetike për luftën e Rusisë në Ukrainë, dhe ne do të vazhdojmë t’i ndalim ato. Tanker-i i naftës MV SUN, i dyshuar se lundronte nën flamur të rremë, në shkelje të ligjit detar ndërkombëtar, u hip në bord më 30 gusht në Mesdhe…”

Misioni EUNAVFOR MED Irini u krijua në vitin 2020 me qëllim monitorimin dhe zbatimin e embargos së armëve të vendosur nga OKB-ja ndaj Libisë. Me kalimin e viteve, mandati i tij është zgjeruar, duke u dhënë forcave evropiane mundësinë të kryejnë kontrolle dhe inspektime në anije për verifikimin e dokumentacionit dhe flamurit.

Ky rast i MV SUN vjen në një kohë kur BE-ja ka shtuar vëmendjen ndaj “flotës në hije” ruse, e cila përbëhet nga anije që dyshohet se përdoren për të transportuar naftë dhe për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

Scroll to Top