Aeroporti i Vlorës: PD denoncon skandalin, rrezik financiar

PD: Pse po prishet kontrata e Aeroportit të Vlorës?!

Partia Demokratike, dega Vlorë, përmes anëtarit të Këshillit Kombëtar, Rezenbrik Serjani, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij, duke treguar papërgjegjshmëri ekstreme dhe duke vepruar në mënyrë jo transparente me oligarkët, kanë nxjerrë qytetarët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë përpara një situate jashtëzakonisht të rrezikshme lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Sipas deklaratës, Edi Rama ka nisur procedurat për prishjen e njëanshme të kontratës së Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke ndërmarrë një veprim skandaloz dhe të paprecedentë, i cili mund të sjellë pasoja shumë të rënda financiare dhe juridike për Shqipërinë.

PD thekson se problemet mes dy partnerëve privatë në Aeroportin e Vlorës duhej të zgjidheshin mes tyre, nëpërmjet rrugës gjyqësore apo arbitrazhit, siç ndodh në çdo marrëdhënie kontraktore private. Megjithatë, Edi Rama ka vendosur të bëhet palë në këtë konflikt, duke ndërhyrë në marrëdhënien kontraktore dhe duke ndërmarrë procedurën për prishjen e kontratës me koncesionarin.

Ajo që për më shumë se pesë vjet është prezantuar si një investim strategjik, motor zhvillimi dhe një pol i rëndësishëm ekonomik e turistik në Mesdhe, veçanërisht për Vlorën dhe gjithë Jugun e Shqipërisë, tani rrezikon të kthehet në një gropë financiare prej qindra milionë eurosh për taksapaguesit shqiptarë.

Partia Demokratike paralajmëron se nëse mosmarrëveshja për Aeroportin e Vlorës përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, arbitrat nuk do të shqyrtojnë vetëm nëse koncesionari ka përmbushur detyrimet e tij, por edhe të gjithë sjelljen e shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së koncesionit. Arbitrazhi do të shtrojë pyetje të tilla si:

  • Çfarë bëri qeveria për ta shpëtuar këtë investim?
  • A i përmbushi shteti vetë detyrimet e tij?
  • A e monitoroi kontratën?
  • A ndërhyri në kohën e duhur?
  • A krijoi kushtet për realizimin e investimit?
  • Dhe mbi të gjitha: a ishte prishja e kontratës masa e fundit dhe e justifikuar, apo një vendim i marrë pasi projekti ishte futur tashmë në krizë?

PD vë në dukje se këto janë pyetje të cilave Edi Rama nuk mund t’u shmanget, pasi ekziston një koncesion ku shteti ka marrë përsipër edhe detyrime financiare. Sipas studimit të fizibilitetit, nëse të ardhurat minimale të parashikuara nuk realizohen, buxheti i shtetit mund të detyrohet të kompensojë koncesionarin. Vetëm për vitet e katërt deri në të shtatin, shuma e parashikuar arrin në 43.2 milionë euro.

Një tjetër episod absurd i përmendur është përurimi publik i Aeroportit më 8 maj 2025, në një kohë kur procesi i plotë i certifikimit dhe autorizimit për operim nuk kishte përfunduar. PD nënvizon se një aeroport nuk është një shesh për inaugurime elektorale, por një infrastrukturë kritike që kërkon standarde të rrepta teknike, sigurie dhe certifikimi.

Prandaj, sipas PD, Rama duhet t’u përgjigjet shqiptarëve se:

  • Çfarë ndodhi me Aeroportin e Vlorës?
  • Kush e përgatiti këtë koncesion?
  • Kush e monitoroi?
  • Kush lejoi që konflikti mes ortakëve dhe problemet e projektit të arrinin deri këtu?
  • Dhe pse qeveria zgjodhi prishjen e kontratës si rrugë të fundit?

PD kujton se papërgjegjshmëria e kësaj qeverie ka pasur pasoja edhe në të kaluarën, duke përmendur rastin e Becchettit, dhe paralajmëron se ekziston rreziku që e njëjta histori të përsëritet me Aeroportin e Vlorës. Nëse Shqipëria humbet arbitrazhin, faturën nuk do ta paguajë Edi Rama, ministrat apo oligarkët, por shqiptarët.

Sipas Partisë Demokratike, Aeroporti i Vlorës ka qenë që në fillim një objekt interesi për Ramën, “sektin” dhe sistemin e tij klientelist, me qëllim marrjen e fondeve nga buxheti i shtetit dhe taksapaguesve. Me qëllim përvetësimin e këtij aseti, i cili duhet të ishte në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë, Edi Rama po zgjedh të rëndojë buxhetin e shtetit me 500 milionë euro, shuma e pritshme nga arbitrazhi si pasojë e prishjes së njëanshme të kontratës. Qëllimi i vetëm, sipas PD, është dhurimi i këtij aseti klientëve të tij dhe vetes së tij.

Aeroporti i Vlorës, sipas PD, nisi si projekt strategjik zhvillimi, vazhdoi me propagandë, u kthye në plaçkë elektorale dhe propagandistike dhe, në fund, nxori natyrën e vërtetë: plaçka e radhës që sistemi i “sektit Rama” kërkon t’ua marrë shqiptarëve. Çdo investim, sipas PD, Edi Rama e ka shndërruar në mjet plaçkitjeje.

Scroll to Top