ALPEX lidh kontratë 2.97 milionë euro për platformat e tregtimit Shqipëri-Kosovë
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) ka nënshkruar një kontratë me vlerë 284.65 milionë lekë pa TVSH, ekuivalente me rreth 2.97 milionë euro, për krijimin e platformave elektronike të tregtimit dhe klerimit për tregjet e energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës. Ky zhvillim u bë i ditur së fundmi në sistemin e prokurimeve, ku ALPEX kishte hapur më parë procedurën përkatëse.
Kontrata u finalizua më 24 gusht me një konsorcium të përbërë nga operatorët Nord Pool AS, i cili zotëron 85% të pjesëmarrjes, dhe Nord Pool European Market Coupling Operator AS, me 15%. Të dyja kompanitë kanë selinë në Oslo, Norvegji.
Vlera përfundimtare e kontratës, 284.65 milionë lekë, është nën fondin limit të parashikuar prej 300 milionë lekësh, i cili në dokumentet e procedurës ishte llogaritur në rreth 3.13 milionë euro.
Objekti kryesor i kontratës është ofrimi i platformave elektronike të avancuara për tregtimin dhe klerimin e transaksioneve në tregjet e energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për bashkimin e këtyre tregjeve. Sipas kushteve të përcaktuara, shërbimi do të mbështesë funksionimin e tregjeve aktuale të energjisë elektrike, si tregu ditor në avancë dhe tregu brenda ditës, duke përfshirë edhe integrimin e ALPEX me tregje të tjera dhe mundësinë e tregtimit të vazhdueshëm.
Platforma e tregtimit do të përfshijë:
- Të drejtat e licencës dhe mirëmbajtjes.
- Akses në zgjidhjet për bashkimin evropian të tregjeve të energjisë, të njohura si SDAC (Single Day-Ahead Coupling) dhe SIDC (Single Intraday Coupling).
- Infrastrukturën e nevojshme për sistemet e prodhimit, testimit dhe rezervës.
Sipas kalendarit të tenderit, platformat duhet të dorëzohen në ambientin e testimit brenda 127 ditëve nga hyrja në fuqi e kontratës, ndërsa dorëzimi në ambientin funksional duhet të bëhet brenda 176 ditëve.
Dokumentet e kontratës parashikojnë, gjithashtu, në mënyrë indikative, integrimin me SDAC gjatë tremujorëve të parë deri të tretë të vitit 2028 dhe me SIDC gjatë gjysmës së parë të vitit 2029.
