Për herë të parë pas shpalljes “non-grata”, Sali Berisha merr vizën për në SHBA. Do të marrë pjesë në Konventën Republikane
Redaktuar më 31.08.2026
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pajisur me vizë amerikane dhe pritet të udhëtojë javën e ardhshme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lajmin e ka bërë me dije deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, i cili në një postim në rrjetet sociale shkroi “Bac u kry”, duke shoqëruar mesazhin me flamujt e Shqipërisë dhe SHBA-së dhe simbolin e duarve të shtrënguara.
Udhëtimi drejt SHBA-së pritet të zhvillohet javën e ardhshme dhe Berisha nuk do të jetë i vetëm. Me të pritet të udhëtojnë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Belind Këlliçi dhe Albana Vokshi, si dhe Enri Ceno, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike.
Lajmi për pajisjen me vizë amerikane vjen vetëm pak orë pasi Berisha deklaroi se dokumentet e tij për udhëtimin drejt SHBA-së ndodheshin ende në Ambasadën Amerikane dhe se nuk kishte marrë njoftim lidhur me pasaportën.
Destinacioni i parashikuar i vizitës është Teksasi, ku kreu i PD-së synon të marrë pjesë në një Konventë të Republikanëve amerikanë, si pjesë e një delegacioni të Unionit Demokratik Ndërkombëtar.
Kujtojmë se më 11 qershor 2026, Partia Demokratike doli me një njoftim ku deklarohej se Departamenti Amerikan i Shtetit ka hequr shpalljen “non grata” për Sali Berishën, penalizim që datonte prej 19 majit 2021.
