7-vjeçare humbi jetën nga shkarkimet e HEC-it në Drinin e Zi, Prefekti i Dibrës mbledh “Task-Forcën”: Kërkohet nga Maqedonia e Veriut të vendosë orare për hapjen e portave
Pas ngjarjes tragjike ku një vajzë 7-vjeçare humbi jetën në ujërat e Drinit të Zi, autoritetet në Dibër kanë ndërmarrë masa për rritjen e sigurisë përgjatë lumit.
Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu, ka thirrur një mbledhje të “Task-Forcës” për forcimin e masave parandaluese dhe menaxhimin e rreziqeve që lidhen me ndryshimin e menjëhershëm të nivelit dhe prurjeve të lumit.
Në fokus të takimit ishte veçanërisht rreziku që mund të shkaktohet nga shkarkimet e ujit prej hidrocentraleve (HEC-eve) në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Një nga kërkesat kryesore të autoriteteve shqiptare është që pala maqedonase të njoftojë paraprakisht për hapjen e portave të digave, veçanërisht të digës së Spiljes në Dibër të Madhe.
“Do të kërkojmë njoftim paraprak nga pala e Maqedonisë së Veriut për shkarkimet nga HEC-et dhe hapjen e portave të digave”, deklaroi Prefekti i Dibrës.
Sipas autoriteteve, njoftimi në kohë është thelbësor për t’u dhënë mundësi strukturave shqiptare dhe banorëve që jetojnë apo ushtrojnë aktivitete pranë Drinit të Zi të marrin masat e nevojshme për sigurinë.
Gjatë mbledhjes së “Task-Forcës” u kërkua gjithashtu shtimi dhe trajnimi i personelit zjarrfikës në bashkitë Dibër dhe Bulqizë.
Një tjetër masë e parashikuar është vendosja e sinjalistikës paralajmëruese në akset rrugore që të çojnë drejt lumit. Tabelat do të shërbejnë për informimin e banorëve dhe turistëve mbi rrezikun e rritjes së menjëhershme të nivelit dhe shpejtësisë së rrjedhës së ujit.
“Tabelat do të informojnë banorët dhe turistët për rrezikun e rritjes së menjëhershme të nivelit dhe shpejtësisë së rrjedhës së ujit”, u shpreh Prefekti.
Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu që operatorët privatë që ushtrojnë aktivitet përgjatë Drinit të Zi të bëjnë publike oraret e hapjes së portave, si dhe të raportojnë çdo problematikë që lidhet me prurjet e lumit.
Masat e reja marrin rëndësi të veçantë këtë vit, pasi numri i vizitorëve pranë Drinit të Zi është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të autoriteteve, fluksi i turistëve dhe vizitorëve është rritur me rreth 50 për qind krahasuar me një vit më parë.
