Një ngjarje e rëndë ka tronditur Times Square në New York, ku një grua 32-vjeçare humbi jetën pasi u godit me thikë në një sulm që policia e cilëson si të rastësishëm dhe të paprovokuar.
Viktima është identifikuar si Erin Piacenti, zv/presidente në Bankën e Amerikës. Banka konfirmoi vdekjen e punonjëses dhe shprehu tronditjen për humbjen e saj.
Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 16:24, pranë kryqëzimit të Uest 42nd Street me Seventh Avenue, në një nga zonat më të frekuentuara të Manhatanit. Një tjetër person, një 68-vjeçar, mbeti i plagosur me thikë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë së New Yorkut, kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën Pamela Cisneros, 49 vjeçe, e cila mbante dy thika të mëdha dhe kërcënoi policët. Efektivët hapën zjarr ndaj saj dhe gruaja u shpall më pas e vdekur.
Komisionerja e NYPD, Jessica Tisch, tha se sulmi dukej të ishte i rastësishëm dhe i paprovokuar, ndërsa autoritetet bënë të ditur se Cisneros kishte një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
