“`html
Nga Transparenca te Prania Besnike: Çfarë tha Rama në mbledhjen e zgjeruar të socialistëve: ‘Burg’ për çdo deputet që ndërhyn për punësime
TIRANË – Kryeministri Edi Rama mblodhi sot grupin parlamentar dhe ministrat në një takim ku fokusi kryesor ishin platformat e reja të prezantuara nga socialistët, “Pasqyrë Albania” dhe “Prania Besnike”.
Rama shpjegoi se përmes “Pasqyrë Albania”, qytetarët do të kenë mundësi të kontrollojnë në kohë reale aktivitetin e qeverisë dhe mënyrën sesi institucionet veprojnë, duke u bazuar në dokumente. Ai ftoi pushtetin legjislativ dhe atë gjyqësor që të përfshihen në këtë platformë, e cila pritet të jetë më e gjerë se vetë e-Albania.
“Pasqyrë Albania” është një kontratë kushtetuese e qytetarit me shtetin, ku qytetari nuk gjen çfarë tha qeveria sot, por gjen çfarë po bën qeveria në emrin e tij, pse po merr një vendim, kush e ka në dorë një çështje që mund t’i interesojë; gjen mbi cilin ligj dhe mbi cilin dokument mund të provojë apo të konsultojë atë që i duhet”, u shpreh Rama.
Sa i përket “Pranisë Besnike”, kreu i qeverisë urdhëroi deputetët socialistë që çdo të premte të jenë në terren për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve. Rama theksoi se këto takime nuk do të jenë për efekt elektoral, por do të shërbejnë për disiplinimin e institucioneve, duke dëgjuar qytetarët pa u premtuar favore në këmbim.
“Çdo të premte në orën 5, deri sa unë të jem kryetar i PS, do të keni praninë besnike. Të gjithë, në territor, pranë njerëzve. Jo për mbledhje, ku vijnë njerëzit, flasin dhe fillojmë flasim. Prania besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët”, tha kryeministri.
Sipas tij, takimet duhet të shërbejnë për të dëgjuar shqetësimet e çdo qytetari pa asnjë lloj dallimi apo favorizimi politik. Ai shtoi se fotot me të pranishmit do të bëhen vetëm me miratimin e tyre.
“Të vijë kushdo të qajë hallin, të flasë tek për tek, dhe të mbajë shënim hallin që njeriu po flet. Pa kamera. Vetëm me foto në fillim të takimit nëse personi pranon, dhe pa ekspozim fytyre. Refuzohet përkatësia partiake, nuk ka rëndësi.”
Gjithashtu, Rama u bëri thirrje të prerë ligjvënësve socialistë që të mos kthehen në ndërmjetës apo të shkelin rregullat për të premtuar zgjidhje të jashtëligjshme, por të ndjekin rrugën zyrtare.
“Mos jepni shpresë për ndihmë jashtë rregullave. Deputeti nuk kthehet sekser, të mos marrin asnjë drejtor në telefon, por të dërgojnë me shkrim institucional hallin e qytetarit”, u shpreh ai.
“Prania besnike nuk matet me video, se nuk do të ketë kamera, as me foto, prania besnike nuk jep premtime, nuk jep numrin e telefonit, por është një kompjuter që mban shënim ata që ne vetëm do t’i dëgjojmë. Do miratojmë një modul të matjes së punës së deputetit, në këtë botë të re, ku ne jetojmë në fakt mes dy botësh, asaj të realitetit fizik dhe të asaj të pasqyrave”, vijoi Rama.
Ndërkohë, Rama nuk i kurseu batutat dhe kritikat për deputetët e tij, duke paralajmëruar se do të propozojë që çdo ndërhyrje e një deputeti me telefon për të futur dikë në punë të konsiderohet vepër penale.
“Do ta propozoj dhe do t’ju shikoj të gjithëve në sy dhe do t’ju kërkoj ta votoni”, u shpreh Rama.
Sipas tij, çdo mesazh apo ndërhyrje me qëllim favorizimin e një personi për një vend pune duhet të konsiderohet një shkelje e rëndë.
“Çdo mesazh ‘fute këtë në punë’, ‘shikoje pak atë’, duhet të konsiderohet vepër penale, sepse një deputet që bën këtë nuk është i denjë të jetë përfaqësues i atyre mijëra qytetarëve të tjerë që nuk kanë akses te WhatsApp-i i tij, që nuk janë pjesë e trungut të familjes së tij, që nuk janë pjesë e rrethit të tij apo shoqërisë së tij”, tha Rama.
Duke iu referuar votuesve të PS, ai shtoi se “këta janë njerëz që i kanë rritur fëmijët e tyre me një mijë e një mundime, që kanë votuar këtë deputet apo deputetë të tjerë me radhë dhe, në fund, shikojnë fëmijën e tyre të parakalohet nga një mesazh në WhatsApp. Vepër penale.”
“`
