Grabitje spektakolare në muzeun Renoir në Francë, dy hajdutë marrin katër vepra arti me vlerë 9 milionë euro
Një grabitje e veçantë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Muzeun Renoir, të vendosur në Cagnes-sur-Mer, në jug të Francës. Dy persona kanë depërtuar me forcë në muzeun kushtuar piktorit të njohur francez impresionist, Pierre-Auguste Renoir, dhe kanë arritur të marrin katër vepra arti me vlerë të konsiderueshme.
Sipas kryetarit të bashkisë së Cagnes-sur-Mer, Bryan Masson, vlera e parashikuar e veprave të vjedhura arrin në rreth 9 milionë euro.
Alarmi i muzeut u aktivizua në orën 05:48 të mëngjesit. Vetëm pesë minuta më vonë, në orën 05:53, policia bashkiake ka mbërritur në vendngjarje. Autorët, të identifikuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, u larguan me vrap nga muzeu.
Gjatë arratisjes, grabitësit braktisën një prej veprave të artit që kishin marrë. Ndërkohë, policia bashkiake dhe ajo kombëtare kanë nisur kërkimet për kapjen e autorëve.
Kryebashkiaku Bryan Masson e cilësoi grabitjen si një sulm ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore të Cagnes-sur-Mer. “Sulmi ndaj Muzeut Renoir është sulm ndaj një pjese të historisë dhe trashëgimisë së Cagnes-sur-Mer,” deklaroi Masson. Ai shtoi se autoritetet do të vënë në dispozicion të gjitha burimet e nevojshme për forcimin e sigurisë së muzeve.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e dy autorëve, ndërsa policia po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat e grabitjes dhe për të rikuperuar veprat e tjera të vjedhura.
