BE ka dhënë 1.1 milionë leje qëndrimi për shqiptarët, në Gjermani numri arrin rekordin e 124 mijë
Emigracioni i shqiptarëve drejt Bashkimit Europian ka vazhduar me ritme të larta në 10 vitet e fundit, duke tejkaluar gradualisht valët e forta të largimeve të dy tre dekadave më parë, kur vendi ishte në një gjendje ekonomike më të vështirë pas tranzicionit nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut në fillim të viteve ’90-2000.
Nga viti 2008 deri në 2025, vendet e BE-së kanë dhënë rreth 1.1 milionë (1,082,224) leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, sipas të dhënave të Eurostat të përpunuara nga “Monitor”. Për periudhën 2008-2016, u dhanë gjithsej rreth 509.5 mijë leje qëndrimi. Kjo shifër e lartë lidhet kryesisht me periudhën 2008-2010, ku numri i lejeve ishte rreth 70-100 mijë në vit, kohë kur emigrantët e dekadës së mëparshme filluan të stabilizoheshin dhe të merrnin leje qëndrimi, kryesisht në Itali dhe Greqi. Këto dy shtete së bashku dhanë gati 90% të lejeve për këtë periudhë (37% Greqia dhe 53% Italia).
Edhe pse emigracioni dukej se po stabilizohej pas vitit 2012, me numrin e lejeve që u përgjysmua, një valë e re emigrimi nisi pas vitit 2016, duke u përshpejtuar në dekadën e fundit. Për periudhën 2017-2025 u dhanë edhe 573 mijë leje të tjera, duke tejkaluar shifrën e dekadës së mëparshme. Këto të dhëna tregojnë qartë se shqiptarët po vazhdojnë të largohen me ritme më të larta, sidomos nëse merret në konsideratë popullsia aktuale, që është ulur në 2.3 milionë banorë, nga 3 milionë banorë në vitin 2006.
Ndryshe nga dekada e mëparshme, kur Italia dhe Greqia ishin destinacionet kryesore të emigrantëve shqiptarë, gjeografia e emigracionit është zgjeruar vitet e fundit. Për periudhën 2017-2025, Italia dhe Greqia kanë dhënë së bashku 62% të lejeve totale (41% Italia dhe 21% Greqia). Në skenë vitet e fundit ka dalë Gjermania, e cila po tërheq fuqinë punëtore të kualifikuar dhe ka dhënë 20% të lejeve për periudhën 2017-2025.
Në total, që nga viti 2008, Gjermania ka dhënë 124 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptare, duke u renditur e treta. Kryesimin vijon të mbajë Italia, me 500 mijë leje nga viti 2008, e ndjekur nga Greqia me 311 mijë leje. Franca, ndonëse është destinacion kryesor për kërkesat e azilit, jep shumë pak leje qëndrimi. Nga viti 2008, leje qëndrimi në Francë kanë marrë rreth 28 mijë persona, të ndjekur nga Belgjika me 14.3 mijë dhe Suedia me 13 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë nga më pak se 10 mijë leje.
Rreth 20 mijë leje janë dhënë nga Mbretëria e Bashkuar për periudhën 2008-2018, ndërsa të dhënat pas këtij viti nuk raportohen. Gjatë dekadës së fundit, Mbretëria e Bashkuar ka qenë destinacion i preferuar për shqiptarët, me kërkesat për azil që në vitin 2022 arritën në mbi 14 mijë, duke tejkaluar totalin e kërkesave në BE prej 13.2 mijë atë vit.
Viti 2025, Gjermania kalon e dyta për lejet e qëndrimit
Sipas Eurostat, në vitin 2025 u dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, duke shënuar një rritje prej 4% krahasuar me vitin e mëparshëm. Tendenca është e kundërt me vitin 2024, kur lejet ranë me 14%. Në vitin 2025, Gjermania ishte e dyta në total për lejet e qëndrimit, me 17 mijë të tilla, kundrejt 31.7 mijë të dhëna nga Italia dhe 10 mijë nga Greqia. Pas tyre u rendit Franca me vetëm 2.4 mijë leje dhe Belgjika me 1.3 mijë. Shtetet e tjera kanë dhënë më pak se 1000 leje.
Në vitin 2025, sipas Eurostat, 46.3% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 0.8% për edukim dhe 29.4% për punësim.
