Ndodh në SHBA! Nxënëse përjashtohet nga shkolla pasi refuzoi të hidhte kafenë e saj
Një nxënëse në Nju Jork është përjashtuar që në ditën e parë të shkollës, pasi kishte sjellë me vete një kafe të blerë jashtë ambienteve të saj. Julie Kaputa u përball me masën disiplinore më 3 shtator, në Shkollën Qendrore Beaver River në Castorland, pasi nuk pranoi të hidhte pijen që kishte marrë me vete.
Rasti ka shkaktuar debate, pasi nxënësja dhe nëna e saj pretendojnë se nuk ishin informuar siç duhet për një rregull të ri që ndalonte ushqimet dhe pijet e blera jashtë shkollës. Sipas Kaputas, kur hyri në klasën e parë, mësuesi i kërkoi të zgjidhte mes tre mundësive: ta hidhte kafenë, ta pinte menjëherë ose të shkonte në zyrën e drejtorit. Nxënësja zgjodhi të mos e hidhte pijen dhe të mos e konsumonte atë moment.
Pas kësaj, ajo u pezullua për shkelje të politikës së shkollës, e cila ndalon nxënësit të sjellin ushqime apo pije të blera jashtë ambienteve të saj. Julie dhe nëna e saj e kundërshtuan vendimin, duke argumentuar se rregulli i ri ishte miratuar gjatë verës dhe se nxënësit nuk ishin njoftuar në mënyrë të mjaftueshme për ndryshimin.
Nxënësja, e cila në vitet e mëparshme kishte qenë pjesë e listës së nxënësve me rezultate të larta, kërkoi që rregullat të zbatoheshin në mënyrë të qartë dhe sipas procedurave të përcaktuara. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si ishte miratuar ndalimi i ri, duke pretenduar se nuk ishte zhvilluar një seancë dëgjimore publike.
Drejtori i arsimit i Shkollës Qendrore Beaver River, Todd Green, pranoi se gjatë zbatimit të rregullit të ri kishte pasur probleme në komunikimin me nxënësit. Green tha gjithashtu se shkolla vlerëson faktin që nxënësit shprehin bindjet e tyre dhe mbrojnë atë që besojnë, duke e konsideruar një qëndrim të tillë si pozitiv.
Rasti i Kaputas ka nxjerrë në pah diskutimin mbi mënyrën se si nxënësit informohen për ndryshimet në rregulloren e shkollës dhe si këto rregulla zbatohen.
