“`html
Të huajt në hotele u rritën me 18.3% në korrik, kryeson Kosova, e ndjekur nga Italia dhe Polonia
Turizmi vijoi rritjen edhe në korrik, duke u reflektuar si në numrin e hyrjeve të shtetasve të huaj, ashtu edhe në qëndrimet në strukturat akomoduese.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i vizitorëve që qëndruan në hotele dhe struktura të tjera akomoduese u rrit me 15.2% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Ky rritje u mbështet kryesisht nga fluksi i të huajve.
Sipas të dhënave të INSTAT:
- Vizitorët jo-rezidentë u rritën me 18.3%.
- Vizitorët rezidentë u rritën me 6.4%.
Edhe net-qëndrimet shënuan rritje të fortë, me 14% në total. Për vizitorët e huaj ato u shtuan me 17.3%, ndërsa për rezidentët me 4.4%.
Në korrik, strukturat akomoduese regjistruan 622,660 vizitorë të huaj, krahasuar me 526,302 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Vizitorët rezidentë arritën në 193,903, kundrejt 182,303 në korrik 2025.
Hotelet dhe akomodimet e ngjashme mbajtën pjesën më të madhe të fluksit, me 558,018 vizitorë të huaj dhe 169,112 rezidentë.
Rritja e kërkesës u reflektua edhe te përdorimi i kapaciteteve hoteliere. Norma e shfrytëzimit të dhomave arriti në 55.3%, nga 52.9% një vit më parë, duke u rritur me 2.4 pikë përqindje.
Bregdeti vijoi të përqendrojë pjesën më të madhe të aktivitetit gjatë muajit më të fortë të sezonit veror. Zonat bregdetare pritën 478,083 vizitorë të huaj, nga 392,704 në korrik 2025, ndërsa numri i vizitorëve rezidentë u rrit në 151,042, nga 131,137.
Në zonat jo-bregdetare, vizitorët e huaj u shtuan në 144,577 nga 133,598, ndërsa ata rezidentë ranë në 42,861 nga 51,166.
Jugu regjistroi një rritje prej 18.5% të vizitorëve të huaj krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Në Veri rritja ishte më e fortë, me 28.7%. Në rajonin Qendër, numri i vizitorëve të huaj u rrit me 9.3%.
Kosova mbeti tregu kryesor për strukturat akomoduese, duke përbërë 18% të vizitorëve të huaj. Ajo u ndoq nga Italia me 13% dhe Polonia me 11%. Franca zinte 7% të totalit dhe Gjermania 6%, ndërsa pjesa tjetër e vendeve përbënte 45%.
Ecuria e korrikut, e ndjekur nga një performancë e mirë edhe gjatë gushtit sipas turoperatorëve, mban turizmin këtë vit në një ritëm të ngjashëm me atë të vitit të kaluar. Sezoni ka pasur megjithatë një profil të ndryshëm sipas periudhave: pranvera dhe vjeshta mbështeten më shumë nga turet kulturore dhe grupet e organizuara, ndërsa gjatë verës fluksi është më i përzier, me peshë më të madhe të pushimeve bregdetare dhe vizitorëve individualë.
“`
