Raporti Gjinor në Shqipëri: Demografia, Arsimi & Puna

Në Shqipëri ka rreth 28 mijë gra më shumë sesa burra, pavarësisht se numri i djemve të lindur është më i lartë.

Megjithëse në Shqipëri vazhdojnë të lindin më shumë djem sesa vajza, të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i grave në vend është më i lartë se ai i burrave. Në fund të vitit 2025, popullsia përbëhej nga 1.181.981 gra dhe 1.153.949 burra, duke shënuar një diferencë prej rreth 28 mijë grash.

Sa i përket lindjeve, në Shqipëri raporti mbetet 108 djem për çdo 100 vajza. Arsyet kryesore që çojnë në këtë pabarazi gjinore në popullsi janë emigracioni më i lartë i meshkujve dhe jetëgjatësia më e lartë e femrave.

Dominimi i femrave shihet edhe në arsim, ku 65% e tyre kanë arritur nivelin e arsimit të lartë. Megjithatë, në politikë, gratë përbëjnë vetëm një të tretën e anëtarëve të Kuvendit.

Gjetjet kryesore të INSTAT:

  • Popullsia: Në fund të vitit 2025, popullsia banuese në Shqipëri ishte 2.335.930 banorë. Gratë përbënin 50,6% dhe burrat 49,4%. Krahasuar me fundin e vitit 2024, popullsia e burrave u ul me 1,3%, ndërsa ajo e grave me 1,0%.
  • Shtesa natyrore: Shtesa natyrore e popullsisë në vitin 2025 ishte pozitive. Lindjet tejkaluan vdekjet me 1.063 për gratë dhe 84 për burrat.
  • Lindjet dhe raporti gjinor: Gjatë vitit 2025 u regjistruan 22.541 lindje të gjalla, 769 më pak se në vitin 2024. Raporti gjinor në lindje ishte 108 djem për çdo 100 vajza.
  • Vdekshmëria foshnjore: Vdekshmëria foshnjore ishte 5,6 vdekje për 1.000 lindje të gjalla te djemtë dhe 3,8 te vajzat.

Shëndetësia dhe abortet:

  • Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbetën shkaku kryesor i vdekjeve për të dy gjinitë, duke zënë 54,5% të vdekjeve te gratë dhe 51,6% te burrat.
  • Gjatë vitit 2025 u regjistruan 4.277 aborte dhe 22.541 lindje të gjalla, me një raport prej rreth 190 abortesh për çdo 1.000 lindje të gjalla.
  • Tek moshat 15-19 vjeç, raporti më i lartë i abortit u regjistrua në moshën 18 vjeç (176,8 aborte për 1.000 lindje).
  • Pjesa më e madhe e aborteve u krye nga gra të moshës 20-34 vjeç, të cilat përbënin 56,8% të aborteve gjithsej.

Arsimi:

  • Në vitin akademik 2024-25, u diplomuan 28.939 studentë, nga të cilët 65,3% ishin vajza.
  • Gratë përbënin shumicën e stafit mësimor në arsimin 9-vjeçar (79,6%) dhe në arsimin e mesëm të lartë (71,7%).
  • Në stafin akademik të arsimit të lartë, gratë përbënin 35,8% të kategorisë “Profesor”, 60,5% të “Doktor” dhe 58,3% të “Akademikë e pedagogë pa tituj”.
  • Nga vajzat e diplomuara, fushat më të preferuara ishin “Shëndet dhe mirëqenie” (27,6%), “Biznes, administrim dhe ligj” (24,6%) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (11,0%).
  • Ndër djemtë e diplomuar, kryesonin “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (25,1%), “Biznes, administrim dhe ligj” (20,8%) dhe “Teknologji e informacionit dhe komunikimit” (14,0%).
  • Në popullsinë 25 vjeç e lart, 50,0% e grave dhe 42,3% e burrave kishin arsim fillor ose 8/9-vjeçar. Për arsimin e mesëm të lartë, përqindjet ishin 30,0% për gratë dhe 40,2% për burrat, ndërsa për arsimin e lartë 19,9% dhe 17,6%.

Tregu i punës dhe mbrojtja sociale:

  • Në vitin 2025, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 82,7% për burrat dhe 70,1% për gratë (mosha 15-64 vjeç). Shkalla e punësimit ishte 76,0% për burrat dhe 62,7% për gratë.
  • Ndër gratë e punësuara, 55,2% ishin me pagë dhe 25,0% punëtore pa pagesë në biznesin e familjes.
  • Bujqësia zinte peshën më të madhe në punësimin e grave (38,4%).
  • Shkalla e papunësisë për moshën 15-64 vjeç ishte 8,2% për burrat dhe 10,6% për gratë. Për gratë, kjo shkallë u rrit me 0,6 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024.
  • 15,1% e grave dhe 0,7% e burrave deklaruan se kryenin detyra shtëpiake si statusin e tyre kryesor.
  • Gratë përbënin 55,3% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar.
  • Në fund të vitit 2025, gratë përbënin 48,4% të përfituesve të pensioneve urbane dhe 69,1% të pensioneve rurale.
  • Hendeku gjinor në paga ishte 4,6%, me pagën mesatare mujore bruto të grave 4,6% më të ulët se ajo e burrave.

Gratë në vendimmarrje:

  • Në vitin 2025, gratë përbënin 35,0% të deputetëve të Kuvendit (49 gra nga 140 deputetë).
  • Në misionet diplomatike, gratë përbënin 37,5% të ambasadorëve dhe 66,7% të ambasadorëve fuqiplotë.
  • Numri i huamarrësve në banka ishte 348.053, prej të cilëve 55,2% ishin burra dhe 44,8% gra.
  • 31,6% e ndërmarrjeve aktive kishin pronare ose administratore gra, me përqindjen më të lartë (32,7%) te ndërmarrjet me 1-4 të punësuar.

Tregues socialë nga anketat në familje:

  • Në vitin 2024, shpenzimet mesatare mujore për konsum ishin 93.042 lekë për familje. Ato ishin më të larta në familjet me kryefamiljar burrë (96.359 lekë) dhe më të ulëta në familjet me kryefamiljare grua (76.235 lekë).
  • Në vitin 2025, 87,2% e individëve të moshës 16-74 vjeç kishin përdorur internetin (88,1% burra dhe 86,3% gra).
  • Ndër blerësit online të veshjeve dhe mallrave sportive, 55,6% ishin gra. Për kompjuterët, përqindjet ishin 50,9% për gratë dhe 49,1% për burrat.
  • Në vitin 2024, shkalla e rrezikut për të qenë i varfër ishte 19,2% (19,5% për gratë dhe 18,9% për burrat).
  • Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) ishte 40,5% në vitin 2024 (41,5% për gratë dhe 39,4% për burrat).
Scroll to Top