“`html
Xhaja: 35 miliardë lekë pasuri nën administrim, synojmë ripërdorimin e 50% të konfiskuarave
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) administron aktualisht mbi 35 miliardë lekë pasuri, të sekuestruara dhe të konfiskuara. Vetëm gjatë vitit 2026 janë regjistruar 1,175 sekuestrime dhe 84 konfiskime pasurish.
Këto shifra u bënë publike nga Kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, gjatë një konference të organizuar në Tiranë nga European Chapter i FBI National Academy Associates (FBINAA). Konferenca kishte si temë kryesore “Ndërtimi i Partneriteteve Ndërkombëtare – Lufta kundër Krimit të Organizuar për një Mjedis më të Sigurt”.
Në axhendën e konferencës, Xhaja prezantoi temën “Nga Konfiskimi te E Mira Publike”, duke u fokusuar te administrimi dhe ripërdorimi i pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal. Sipas të dhënave të prezantuara:
- AAPSK administron 2,682 pasuri të sekuestruara, me një vlerë rreth 28.5 miliardë lekë.
- Gjithashtu, administron 516 pasuri të konfiskuara, me vlerë rreth 6.8 miliardë lekë.
Kryeadministratorja theksoi se konfiskimi nuk duhet të shihet si fundi i procesit të goditjes së pasurive kriminale. Ajo theksoi se pas vendimit të drejtësisë, shteti ka përgjegjësinë për të ruajtur vlerën ekonomike të pasurisë dhe për ta vendosur atë në shërbim të qytetarëve.
“Konfiskimi nuk është fundi i procesit. Është momenti kur shteti duhet të provojë se di ta ruajë atë vlerë dhe ta vendosë në shërbim të qytetarëve,” deklaroi Xhaja.
Ajo nënvizoi se goditja e pasurive, parave, bizneseve dhe rrjeteve financiare të krimit të organizuar është një nga mënyrat më efektive për të dobësuar vetë strukturat kriminale.
Të ardhurat e krijuara nga administrimi i këtyre pasurive kanë shënuar rritje. Sipas Xhajës, të ardhurat vetëm nga qiratë arritën:
- Rreth 160 milionë lekë në vitin 2024.
- Rreth 221 milionë lekë në vitin 2025.
- Deri në gusht 2026 janë realizuar rreth 180 milionë lekë.
Objektivi i AAPSK-së nuk kufizohet vetëm në gjenerimin e të ardhurave. Një pjesë e rëndësishme e politikës së Agjencisë është kthimi i pasurive dhe fondeve të konfiskuara në dobi të institucioneve dhe komuniteteve, veçanërisht atyre kategorive që përballen drejtpërdrejt me pasojat e kriminalitetit.
Përmes Fondit të Posaçëm, gjatë këtij viti janë mbështetur institucione shtetërore dhe 22 organizata me projekte në vlerën e 150 mijë eurosh. Këto projekte lidhen me mbështetjen e viktimave të trafikimit, parandalimin e kriminalitetit dhe përdorimit të drogës, luftën kundër dhunës në familje, dhunës në shkolla dhe bullizmit.
Në këtë drejtim, AAPSK ka vendosur një objektiv të matshëm për vitet e ardhshme. Në strategjinë 2025-2030, Agjencia synon që të paktën 50% e pasurive të konfiskuara të orientohen drejt ripërdorimit, përfshirë ripërdorimin social.
“Destinacioni përfundimtar i një pasurie kriminale nuk mund të jetë një magazinë, një godinë bosh apo një numër në regjistër. Ajo duhet të ruajë vlerën dhe të krijojë dobi për shoqërinë,” theksoi Xhaja.
Sipas saj, ripërdorimi social duhet parë si një instrument parandalimi. Një pronë e konfiskuar mund të shndërrohet në qendër shërbimi, një automjet mund t’i kalojë një institucioni ligjzbatues, ndërsa të ardhurat e gjeneruara nga pasuritë mund të përdoren për të mbështetur viktima dhe komunitete vulnerabël.
Një çështje tjetër e ngritur në konferencë ishte ndërkombëtarizimi gjithnjë e më i madh i pasurive kriminale. Krahas pronave, bizneseve dhe llogarive tradicionale, strukturat përgjegjëse për administrimin dhe gjurmimin e pasurive po përballen gjithnjë e më shumë me asete virtuale dhe kriptomonedha.
Xhaja bëri të ditur se prej vitit 2025 AAPSK ka intensifikuar marrëdhëniet me institucionet homologe jashtë vendit, duke zhvilluar bashkëpunim me Italinë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën, si edhe me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Ukrainën.
Ajo veçoi si shembull marrëveshjen e nënshkruar së fundmi me Mbretërinë e Bashkuar dhe evidentoi vlerën që mund të ketë eksperienca dhe mbështetja amerikane për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të Agjencisë.
“`
