“`html
Arsimi profesional në Rajon: Diferenca të mëdha mes vendeve, nga 17.5% në Shqipëri në 72.7% në Serbi
Arsimi profesional ka një rëndësi shumë të ndryshme në sistemet arsimore të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa në disa vende më shumë se gjysma e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë zgjedhin një program profesional, në Shqipëri kjo alternativë vazhdon të tërheqë më pak se një në pesë nxënës.
Një raport i ri i Fondacionit Evropian për Formimin Profesional (ETF), i cili analizon arsimin dhe formimin profesional, si dhe të nxënit në vendin e punës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, evidenton diferenca të theksuara në përmasat e arsimit profesional në rajon.
Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për secilin vend:
- Serbia ka përqindjen më të lartë të nxënësve në arsimin profesional, me 72.7%.
- Mali i Zi renditet i dyti me 68.9%.
- Maqedonia e Veriut ka 62.9%.
- Në Shqipëri, përkundrazi, përqindja ishte vetëm 17.5%.
Raporti nuk disponon të dhëna të fundit të krahasueshme për Kosovën.
Serbia: 72.7% e nxënësve ndjekin arsimin profesional
Serbia kryeson listën e vendeve të analizuara për sa i përket peshës së arsimit profesional. Në vitin 2022, 72.7% e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë ishin të regjistruar në programe të arsimit dhe formimit profesional. Edhe pse kjo përqindje ka ardhur në rënie, arsimi profesional vazhdon të dominojë arsimin e mesëm të lartë në vend. Sistemi serb ofron programe profesionale tre dhe katërvjeçare në më shumë se 300 shkolla. Programet mund të zhvillohen në mënyrë tradicionale, me bazë shkollën, ose sipas modelit dual, ku praktika pranë punëdhënësve është pjesë e detyrueshme. Të dyja rrugët çojnë në të njëjtat kualifikime. Kjo strukturë e gjerë institucionale e bën arsimin profesional një komponent qendror të sistemit të arsimit të mesëm në Serbi.
Mali i Zi: Pesha e arsimit profesional mbetet pranë 70%
Edhe në Malin e Zi, arsimi profesional përfshin shumicën e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë, duke arritur 68.9% në vitin 2023, nga 67.1% në vitin 2017. Të dhënat tregojnë një pjesëmarrje relativisht të qëndrueshme dhe të lartë. Sistemi malazezian përfshin programe profesionale dyvjeçare në nivelin e mesëm të ulët, programe tre- ose katërvjeçare në arsimin e mesëm të lartë dhe programe dyvjeçare pas arsimit të mesëm. Ligji lejon edhe arsimin dual, veçanërisht në programet trevjeçare, megjithëse programet vazhdojnë të jenë kryesisht të orientuara nga shkolla.
Raporti thekson se pjesëmarrja e lartë në arsimin profesional nuk garanton automatikisht kalimin e suksesshëm në tregun e punës, pasi vendi përballet ende me një pjesë të konsiderueshme të të rinjve jashtë tregut të punës, arsimit ose trajnimit.
Maqedonia e Veriut: Pjesëmarrja në arsimin profesional po rritet
Në Maqedoninë e Veriut, arsimi profesional ka fituar më shumë peshë vitet e fundit. Në vitin 2022, 62.9% e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë ishin të regjistruar në programe profesionale, nga 60.2% në vitin 2019. Megjithatë, raporti vë në dukje se kjo rritje nuk lidhet vetëm me interesin për arsimin profesional, por edhe me kufizimet në aksesin në shkollat e mesme të përgjithshme. Në të njëjtën kohë, arsimi profesional në Maqedoninë e Veriut shërben si rrugë drejt punësimit, por edhe për vazhdimin e studimeve në arsimin e lartë. Programet profesionale janë kryesisht tre- dhe katërvjeçare dhe përmbajnë forma praktike në vendin e punës.
Shqipëria më dobët në Rajon: 17.5% e nxënësve zgjedhin arsimin profesional
Shqipëria paraqet një situatë dukshëm më të ndryshme nga vendet e tjera të rajonit. Në vitin 2023, vetëm 17.5% e nxënësve të arsimit të mesëm të lartë ndiqnin arsimin profesional. Kjo peshë është jo vetëm shumë më e ulët se në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, por nuk ka shënuar rritje në vitet e fundit. Në vitin 2019, treguesi ishte 18.2%, duke treguar një rënie të lehtë deri në vitin 2023.
Arsimi profesional fillestar në Shqipëri ofrohet përmes një rrjeti shkollash publike dhe private, si dhe ofruesve pas arsimit të mesëm. Programet përfshijnë modele dyvjeçare, 2+1+1, 2+2 dhe programe katërvjeçare, të gjitha me një komponent praktikë profesionale. Shqipëria ka nisur gjithashtu pilotimin e modelit dual që nga viti shkollor 2024-2025, në bashkëpunim me kompani dhe mentorë të trajnuar. Zbatimi i programeve të para trevjeçare duale ka filluar në sektorë si hoteleria, turizmi dhe shërbimet e ushqimit dhe pijeve, ku praktika e detyrueshme përbën rreth 37% të kohës së përgjithshme të kurrikulës.
“`