Instalimi i pajisjeve POS për pagesa elektronike: Tatimet vendosin afat deri më 31 dhjetor
Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit se, deri më datë 31 dhjetor 2026, ata duhet të pajisen me një terminal POS/POI në çdo pikë shitjeje ku kryejnë shitje me para në dorë dhe që nuk përfshihen në kategoritë me afate të mëparshme.
Ky detyrim ligjor është parashikuar në nenin 59/3 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me ndryshimet përkatëse.
Përjashtimet nga detyrimi për pajisjen me terminal POS/POI përfshijnë:
- Tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet ekonomik në zona pa mbulim interneti.
- Tatimpaguesit që përjashtohen nga detyrimi për lëshimin e faturave, sipas legjislacionit përkatës për faturën dhe monitorimin e qarkullimit.
- Tatimpaguesit që plotësojnë njëkohësisht kriteret si më poshtë:
- Nuk janë subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
- Kanë përgjegjësi tatimore për tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi.
- Nuk kanë më shumë se një vendndodhje për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit.
- Kanë statusin/kategorinë e punësimit “I vetëpunësuar i vetëm”.
Përdorimi i pajisjeve POS/POI kontribuon në nxitjen e pagesave elektronike nëpërmjet:
- Ofrues të një shërbimi më cilësor, të shpejtë dhe të përshtatshëm.
- Lehtësimit të procesit të pagesave për klientët.
- Rritjes së transparencës në transaksione.
- Reduktimit të përdorimit të parave të gatshme, duke synuar rritjen e formalizimit.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që janë subjekt i këtij detyrimi të marrin masat e nevojshme për t’u pajisur me terminal POS/POI brenda afatit të përcaktuar, datës 31 dhjetor 2026.
