Greva e minatorëve të Spaçit, kompania paralajmëron mungesën e pagave
Minatorët e minierës së Spaçit vijojnë të jenë të vendosur në kërkesat e tyre dhe të mbështesin grevën edhe pas disa ditësh protestë. Të dielën, ata zhvilluan një takim me kryetarin e Bashkisë së Mirditës, i cili shprehu gatishmërinë e tij për të ndërmjetësuar në kërkim të një zgjidhjeje.
Sot, në orën 11:00, pritet të zhvillohet një takim mes përfaqësuesve të minatorëve dhe drejtuesve të kompanisë TETE Albania, në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Ministrja do të marrë pjesë në këtë takim, duke luajtur rolin e ndërmjetësueses mes palëve.
Një grup minatorësh ka mbërritur pranë godinës së Ministrisë, ndërsa pjesa tjetër vazhdon protestën para minierës së bakrit në Spaç.
Reagimi i kompanisë
Në një deklaratë zyrtare, kompania TETE Albania ka reaguar ndaj protestës së punonjësve, duke e cilësuar ndërprerjen e punës si të paligjshme. Kompania u kërkon 43 punonjësve, kontratat e të cilëve, sipas saj, janë ende në fuqi, që të rikthehen menjëherë në vendet e punës.
“Që prej themelimit, TETE Albania ka operuar në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Shqipërisë, duke respektuar të drejtat e punonjësve dhe proceset ligjore që burojnë prej tyre,” thuhet në deklaratë.
Kompania shprehet se nuk e ka penguar dhe as nuk do të pengojë krijimin e një sindikate nga punonjësit, por thekson se greva është ndërmarrë pa ndjekur procedurat e përcaktuara në Kodin e Punës.
Reagimi i plotë:
“Si TETE Albania dëshirojmë të informojmë opinionin publik në lidhje me procesin e paligjshëm të grevës së zhvilluar gjatë ditëve të fundit. Që prej themelimit të saj, TETE Albania ka ushtruar aktivitetin në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin e punës në veçanti, duke respektuar në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e punonjësve dhe të gjitha proceset ligjore që burojnë prej tyre.
Shoqëria u bën thirrje 43 punonjësve, kontratat e të cilëve janë ende në fuqi, që të rikthehen menjëherë në vendet e tyre të punës. Siç kemi theksuar disa herë më parë, krijimi i një sindikate dhe anëtarësimi në të është e drejtë ligjore e çdo punonjësi, dhe TETE Albania nuk ka penguar dhe as nuk do të pengojë kurrë këtë proces.
Megjithatë, ndërprerja e punës pa ndjekur procedurat e parashikuara në Kodin e Punës përbën shkelje të rregullave ligjore dhe cenon të drejtën për të punuar të punonjësve të tjerë që dëshirojnë të vazhdojnë detyrën e tyre. Për këtë arsye, kompania inkurajon punonjësit të rikthehen në detyrë dhe, nëse dëshirojnë, mund të bashkohen me një sindikatë të regjistruar sipas ligjit, e cila ka ndjekur hapat dhe procedurat përkatëse të anëtarësimit të punonjësve dhe përfaqësimit të tyre.
Megjithatë, në interes të të gjithë punëmarrësve duam të theksojmë se nëse situata aktuale nuk normalizohet në një afat të shkurtër, për shkak të ndikimeve ekonomike dhe operative jashtë kontrollit të administratës, kompania mund të përballet me vështirësi në shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj punonjësve aktivë. Ndërprerja e punës ka shkaktuar tashmë dëme të ndjeshme ekonomike, që përbëjnë një “sulm ekonomik” ndaj stabilitetit të kompanisë dhe mundësive për vijueshmëri të aktivitetit.
Paralelisht, kompania ka nisur procedurat ligjore për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë këtij procesi.
TETE Albania beson se zgjidhja e qëndrueshme është e mundur vetëm përmes dialogut të hapur, konstruktiv e social, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit brenda kuadrit ligjor dhe procedural të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.”
