Trafikoi 120 kg kokainë në Gjermani, gjykata gjermane dënon 25-vjeçarin me burg dhe ekstradim drejt Shqipërisë.
Një 25-vjeçar shqiptar është dënuar me burgim dhe ekstradim nga Gjermania, nën akuzën për trafik droge. Ai akuzohet për përfshirje në trafikun e drogës në Gjermani, konkretisht në qytetin e Solingenit.
Fillimisht, prokuroria ka pretenduar se i riu kishte marrë pjesë në shitjen e 120 kilogramë kokainë, duke përfituar rreth 2.6 milionë euro. 25-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua teksa po kalonte kufirin në Kroaci. Ai qëndroi disa muaj në burg në Kroaci, para se të transferohej në mars të këtij viti në burgun e Wuppertalit në Gjermani.
Në Gjykatën gjermane, shqiptari pranoi fajësinë për përfshirje në shitjen e kokainës, duke deklaruar se ia kishte shitur një tjetër shtetasi shqiptar që banonte në Solingen. Ai gjithashtu pranoi se kishte përdorur një llogari në aplikacionin Signal, me emrin “Pokémon”, për të komunikuar rreth shitjeve të mundshme me persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e drogës.
Prokuroria gjermane ka rënë dakord që, pasi i dënuari të kryejë gjysmën e dënimit, ai të mund të ekstradohet në Shqipëri. Vendimi me formë të prerë pritet të shpallet më 31 tetor 2025.
