“`html
Brukseli synon të përdorë 176 miliardë euro të aseteve ruse si hua për Ukrainën për vitet e ardhshme.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet t’i kërkojnë Komisionit Evropian më 23 tetor të përgatisë një propozim ligjor për shfrytëzimin e 176 miliardë eurove të aseteve shtetërore ruse të ngrira, me qëllim sigurimin e një huaje për Ukrainën. Kjo hua do të mund të mbulonte pjesën më të madhe të nevojave financiare të Kievit për tre vitet e ardhshme.
Diplomatët evropianë, të cilët kanë folur me Radio Evropa e Lirë (REL), shprehin besimin se deri në fund të këtij viti mund të arrihet pajtueshmëri për të gjithë planin. Ky plan pritet të ndihmojë në mbulimin e boshllëkut financiar nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë më në gjendje të financojnë Kievin në të njëjtin nivel si më parë.
Synimi nuk është konfiskimi i aseteve ruse, të cilat mbahen kryesisht në kompaninë financiare Euroclear në Belgjikë, por zëvendësimi i tyre me obligacione të lëshuara nga Komisioni Evropian. Këto obligacione do të mbështeten nga shtetet anëtare të BE-së dhe potencialisht nga vendet e tjera të Grupit të Shtatëshes (G7) dhe partnerë të tjerë.
Paratë do t’i jepen Kievit gjatë viteve 2026-2028 si një “hua dëmshpërblimi”. Ukraina do të jetë e detyruar ta shlyejë këtë hua vetëm pasi Rusia të ketë paguar për dëmshpërblimet e luftës.
Megjithatë, përpara zbatimit të planit, duhet të zgjidhen tre çështje të rëndësishme, të cilat do të negociohen në javët e ardhshme:
- Pyetjet ligjore, kryesisht të ngritura nga Belgjika si vendi pritës i Euroclearit.
- Debatet rreth asaj se ku mund t’i shpenzojë Ukraina këto para, nxitur kryesisht nga Franca.
- Diskutimi i gjerë mbi atë se kush do të marrë pjesë, në ç’mënyrë dhe cilat rreziqe do të përfshijë ky proces.
Shqetësimet e Belgjikës
Belgjika ka shprehur shqetësimin se disa vende jo anëtare të BE-së, si Kina, mund të fillojnë t’i tërheqin pasuritë e tyre shtetërore nga Euroclear nga frika e sekuestrimit për arsye politike. Ky shqetësim është ndarë edhe nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Komisioni Evropian ka sqaruar në një dokument diskutimi se këto veprime nuk përbëjnë konfiskim, pasi shuma kryesore do të mbetet e paprekur. Gjithashtu, theksohet se bëhet fjalë për një masë të vetme dhe të përkohshme.
Belgjika është gjithashtu e shqetësuar për mundësinë që ajo vetë të detyrohet ta shlyejë huan nëse Rusia e çon çështjen në gjykatë dhe fiton. Megjithatë, Komisioni Evropian ka theksuar se vendimet gjyqësore ruse nuk kanë fuqi zbatimi në BE.
Është propozuar një sistem garancish dypalëshe nga shtetet anëtare individuale, i cili do të zëvendësohet në vitin 2028, me hyrjen në fuqi të buxhetit të ri afatgjatë të BE-së. Më pas, lind pyetja se si do të lejohet Ukraina t’i shpenzojë rreth 45 miliardë euro që do të merrte çdo vit.
Zbatim pa njëzëshmëri?
Franca ka kërkuar që paratë të përdoren kryesisht për blerjen e pajisjeve mbrojtëse brenda Evropës, ndërsa vende të tjera kanë kërkuar më shumë fleksibilitet.
Komisioni Evropian ka sugjeruar një kompromis me “dy faza”:
- Një pjesë e parave do të përdoret për “bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes së Ukrainës dhe për integrimin e saj në industrinë evropiane të mbrojtjes, përfshirë blerjen e materialeve mbrojtëse”.
- Pjesa tjetër do të përdoret për mbështetje klasike buxhetore.
Çështja kryesore tani është nëse të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së do ta mbështesin planin. Nuk kërkohet njëzëshmëri për miratimin e huas së dëmshpërblimeve, por përfshirja e sa më shumë shteteve anëtare do të ndajë rrezikun.
Brukseli dëshiron të përfshijë edhe disa nga vendet e G7-ës, në mënyrë që kjo të mos shihet si një iniciativë vetëm e BE-së, duke pasur parasysh se ka asete të Bankës Qendrore Ruse edhe në vende të tjera. Kjo gjithashtu do të ndihmonte në parandalimin e tërheqjes së pasurive të mbajtura në euro, nëse, për shembull, Britania dhe Japonia angazhohen.
Një zyrtar i BE-së i tha REL-it se nëse vende si Hungaria dhe Sllovakia nuk bashkohen, ato mund të zëvendësohen nga disa vende të pasura që nuk janë anëtare të BE-së.
Përgatiti: Ekrem Idrizi/REL
“`
