Klonimi i parë i jakut të egër në Kinë: Shpresë për ruajtjen

Shpresë për shpëtimin e një species në zhdukje: Kina realizon klonimin e parë të jakut të egër

Kina ka shënuar një arritje shkencore historike duke realizuar për herë të parë klonimin e një jaku të egër. Ky proces inovativ synon të kontribuojë në rritjen e popullatës së kësaj kafshe të rrallë, e cila luan një rol të rëndësishëm në ekosistemin malor.

Jakët e egër janë një specie unike, e cila jeton ekskluzivisht në rajonet malore të Kinës dhe aktualisht konsiderohet e rrezikuar për shkak të gjuetisë së vazhdueshme ndër vite. Sipas specialistëve të ekologjisë dhe gjenetikës, këto kafshë janë detyruar të strehohen në lartësi malore ekstreme për t’i shpëtuar veprimtarisë njerëzore.

Përmes procesit të klonimit, shkencëtarët kanë arritur të krijojnë embrione të jakëve të egër, të cilët më pas kanë lindur natyrshëm. Ky moment konsiderohet një hap i madh drejt shpëtimit të kësaj krijese ikonike.

Jakët, të zakonshëm në Rrafshnaltën Tibetiane, kanë evoluar për mijëra vite, duke u përshtatur me temperaturat e ulëta dhe mungesën e oksigjenit në lartësi të mëdha. Ata cilësohen si paraardhësit e jakëve të zbutur dhe kanë lidhje të ngushtë me bizonët modernë. Për banorët e maleve të Himalajeve, jakët kanë qenë dhe mbeten jetikë për mbijetesën. Leshi i tyre përdoret për veshje, qumështi si burim ushqimi, ndërsa jashtëqitjet shërbejnë si lëndë djegëse.

Në rajonin e Tibetit jeton edhe një nënlloj i rrallë i jakut të egër, i dalluar nga leshi i verdhë i artë, i cili është edhe më i përshtatur për kushtet e ashpra malore.

Regjisori i dokumentarëve, Ka Bu, autor i veprës “Golden Wild Yak” (2016), thekson se ligji kinez parashikon mbrojtje të rreptë për jakët. Ai shton se mbi 700 barinj dhe fermerë vendas kujdesen për jakët e zbutur në Parkun Kombëtar Changtang, duke patrulluar zonën për të parandaluar gjuetinë e paligjshme. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, popullata e jakëve të egër në natyrë vlerësohet të jetë mes 170 dhe 300 individë.

Studimet gjenomike kanë zbuluar se popullata aktuale e jakëve të egër vuan nga problemet e inbreeding-ut (kryqëzimi brenda familjes), duke rritur ndjeshëm rrezikun e zhdukjes së species.

Projekti i klonimit u realizua në korrikun e kaluar nga ekspertë të Universitetit Zhejiang, në bashkëpunim me Institutin e Biologjisë së Rrafshnaltës Xijiang. Shkencëtarët arritën të klonojnë me sukses 10 jakë të egër njëherësh, një arritje historike për biologjinë moderne.

Objektivi afatgjatë i tyre është krijimi i një tufe të re jakësh të egër, me fokus të veçantë te nënlloji i rrallë me lesh të artë.

Scroll to Top