Ambasadorët e BE reagojnë pas deklaratës së Berishës: “Gonzato i njësuar me Ramën”
Një ditë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ambasadorët e tjerë europianë kanë reaguar duke i dalë në mbrojtje.
Në një deklaratë të përbashkët, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri i kanë shprehur mbështetjen e tyre ambasadorit Gonzato dhe kanë theksuar besimin e plotë te profesionalizmi i tij.
“Deklaratë e Përbashkët e Ambasadorëve të BE-së të akredituar në Shqipëri – 9 Maj 2026. Në Ditën e Evropës, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe riafirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar”, thuhet në reagimin e tyre.
Këto komente vijnë pas deklaratave të Sali Berishës gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, ku ai akuzoi ambasadorin Gonzato se po vepronte si “ambasadori i Ramës”. Sipas Berishës, ambasadori ka transmetuar në Bruksel informacione të pavërteta për opozitën, duke pretenduar se ajo nuk është e orientuar drejt integrimit evropian.
“Sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur: ky sillet si të ishte ambasadori i Ramës, pasi ky zotëri, në mënyrë të pretenduar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës, sikur ne nuk jemi për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera. Ne jemi ata që i themi gjërat hapur dhe ai është përpjekur në shumë mënyra ta paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit, por ka dështuar. Gonzato është unifikuar komplet me Edi Ramën. Unë partnerëve europianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, u shpreh Berisha.
