Arrestohet 37-vjeçari për vjedhje 12 milionë lekësh në Tiranë

Vodhi 12 milionë lekë në një banesë, arrestohet 37-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 37-vjeçar, i dyshuar si autor i disa vjedhjeve me thyerje, pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Saga”. Arrestimi i tij u bë pas hetimeve që çuan në identifikimin dhe lokalizimin e autorit të një grabitjeje të ndodhur pesë ditë më parë.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, finalizuan me sukses operacionin, duke arrestuar shtetasin Ndriçim Koka, 37 vjeç, banues në Tiranë. Ai rezulton të jetë dënuar më parë në Greqi për të njëjtin lloj krimi.

Nga hetimet rezultoi se më 08.11.2025, Ndriçim Koka ka vjedhur 12 milionë lekë në një banesë në rrugën “Artan Lenja”. Ndërsa më 19.10.2025, ai ka kryer një vjedhje me thyerje në një kioskë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku ka marrë produkte me vlerë rreth 50 000 lekë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi:

  • Një sasi lënde narkotike e dyshuar Cannabis.
  • Mjetin e fortë që 37-vjeçari përdorte për thyerjet.
  • Veshjet që mbante gjatë kryerjes së vjedhjeve.
  • Dhe prova të tjera materiale që lidhen me ngjarjet.
Scroll to Top