Arrestohet gjyqtar i UEFA-s për ngacmim seksual

Ngjarje e rëndë: Gjyqtar i UEFA-s arrestohet për ngacmim seksual; ishte planifikuar të drejtonte në Kupën e Botës

Një gjyqtar i UEFA-s është arrestuar në Angli, ku pak ditë më parë po gjykonte një ndeshje ndërkombëtare. Ai akuzohet për ngacmim seksual ndaj një adoleshenti.

Zyrtari në fjalë, i cili nuk është shtetas britanik, akuzohet se e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme të riun dhe është munduar ta marrë në dhomën e tij të hotelit. Ngjarja ka ndodhur para ndeshjes ndërkombëtare që ai kishte planifikuar të drejtonte.

Policia nisi një hetim pasi mori denoncimin. Arrestimi i tij u bë në momentin e kthimit në hotel, në praninë e zyrtarëve të lartë të UEFA-s, të cilët shprehën tronditjen për situatën.

“Me sa duket ai kishte filluar t’i fliste djalit në një zonë publike të hotelit,” tregoi një burim për “The Sun”. “Ai akuzohet se e ka prekur djalin në mënyrë të papërshtatshme, kundër dëshirës së tij, dhe është munduar ta marrë në dhomën e hotelit. Është diçka tronditëse dhe e papranueshme, nëse ngjarja vërtetohet,” shtoi burimi.

“Ai u kthye në hotel atë natë. Sapo hyri me delegacionin e UEFA-s, policia ishte duke e pritur dhe e arrestoi duke i lexuar të drejtat e tij. Ai u mor në pyetje dhe më pas u la i lirë me kusht,” vijoi i njëjti burim. Ai gjithashtu zbuloi se viktima, ose një mik i tij, kishte bërë denoncimin pas ngjarjes, duke sjellë reagimin e policisë.

Autoritetet konfirmuan se një person “në të 30-at” ishte nën hetim dhe mund të ekstradohet nëse shpallet fajtor.

UEFA bëri të ditur se situata po monitorohej dhe personit në fjalë i ishin hequr të gjitha ndeshjet e tij derisa të sqarohej ngjarja. Ndërkohë, FIFA bëri të qartë se ai do të hiqej nga çdo listë për sa kohë që vijonte hetimi.

Scroll to Top