Sulm Kibernetik ndaj FIFA-s: Vjedhje masive e të dhënave futbollistësh

Një sulm kibernetik i paprecedent ka çuar në vjedhjen dhe ofrimin për shitje të të dhënave të qindra mijëra futbollistëve, trajnerëve dhe drejtuesve të organizatës që drejton futbollin botëror, FIFA. Grupi i hakerave ka siguruar këto të dhëna duke aksesuar sistemet e FIFA-s.

Faqja e specializuar “FrenchBreaches” ka identifikuar në “dark web” një grup që po shet mbi 150 mijë pasaporta dhe dokumente të tjera të lidhura me to, të personave të regjistruar në sistemin e FIFA-s.

Mekanizmi i saktë me të cilin hakerat kanë mundur të thyejnë sistemin e sigurisë së FIFA-s dhe të kryejnë këtë vjedhje të dhënash mbetet i panjohur. Megjithatë, të dhënat, të cilat përfshijnë adresa, adresa e-maili dhe informacione bankare, tashmë janë në shitje dhe paraqesin rrezik për mashtrime dhe vjedhje identiteti.

Si pjesë e promovimit të sulmit të tyre kibernetik, hakerat, të cilët identifikohen si grupi “ShinyHunters”, kanë publikuar skedarë me të dhëna individuale të lojtarëve dhe klubeve. Këto materiale përfshijnë informacion për emra të njohur si Nejmar, Son, Kang-in, Taremi, si dhe presidentin e FIFA-s, Xhani Infantino.

Grupi “ShinyHunters” e ka përshkruar këtë ngjarje si “thyerjen më të madhe të historisë së futbollit”.

Scroll to Top