Drejtonte një skemë falsifikimi vizash Shengen në Uzbekistan, arrestohet ish-ambasadori italian
Policia italiane ka arrestuar ish-ambasadorin e Italisë në Uzbekistan, Piergabriele Papadia de Bottini di Sant’Agnese, i akuzuar për drejtimin e një skeme të paligjshme për lëshimin e vizave Shengen nga ambasada italiane në Tashkent.
Bashkë me të, nën hetim është vënë edhe bashkëpunëtorja e tij, Tatiana Tarakanova. Prokurorët e Romës i akuzojnë të dy për lehtësim të emigracionit të paligjshëm dhe korrupsion, të lidhur me shpërdorimin e detyrës.
Arrestimet janë kryer pas një mase paraprake të urdhëruar nga një gjyqtar hetues në Romë. Sipas hetimeve, dy të pandehurit kishin ngritur një sistem për lëshimin e vizave turistike afatgjata për shtetas rusë, të cilët nuk plotësonin kriteret e hyrjes në zonën Shengen.
Përfituesit paguanin shuma që varionin nga 4 mijë deri në 16 mijë euro, ndërkohë që tarifa zyrtare për një vizë ishte 45 deri në 60 euro.
Hetuesit dyshojnë se skema funksiononte në bashkëpunim me agjenci udhëtimesh me bazë në Moskë dhe se të paktën 95 qytetarë rusë kanë marrë viza pa përmbushur kërkesat ligjore, siç janë banimi në distriktin konsullor apo paraqitja personale në konsullatë.
Sipas dosjes hetimore, disa aplikime janë dërguar përmes aplikacionit Telegram dhe janë përpunuar jashtë procedurave zyrtare.
Hetimi nisi pas një kontrolli të kryer nga Ministria e Jashtme italiane në korrik të vitit të kaluar, ku u konstatuan parregullsi në dokumentacionin e vizave dhe mungesë të të dhënave për hyrjet e aplikantëve në ambasadë.
Prokurorët përmendin gjithashtu biseda të përgjuara, ku ish-ambasadori dyshohet të ketë deklaruar se “kishte nevojë për para”, duke lënë të kuptohet motivi financiar pas kësaj skeme.
Autoritetet italiane po hetojnë rreth 400 dosje vizash dhe po verifikojnë pasuri të lidhura me Papadian, me vlerë të përafërt rreth 3 milionë euro.
