Kontratat për shkëmbimin e pronës, ASHK sqaron procedurën për regjistrimin në e-Albania
Individët që kanë nënshkruar kontratë për shkëmbimin e pasurisë së paluajtshme, kanë detyrimin për ta regjistruar atë në kadastër. Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka dhënë sqarime mbi procedurën që duhet ndjekur pas nënshkrimit të këtyre kontratave.
Ky proces realizohet përmes portalit e-Albania dhe duhet kryer brenda një afati prej 30 ditësh. Aplikimi kërkon ngarkimin e dokumentacionit përkatës në format elektronik dhe përzgjedhjen e shërbimeve kadastrale. Sipas ASHK, kjo procedurë siguron përditësimin e të dhënave të pronës dhe ndihmon në shmangien e penaliteteve.
ASHK thekson: “Pas lidhjes së kontratës së shkëmbimit, ju duhet ta regjistroni atë në regjistrin kadastral nëpërmjet aplikimit në e-Albania. Për të shmangur kamatëvonesat dhe për t’u pajisur me dokumentacionin e përditësuar të pronës, aplikimi duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës.”
Si të aplikoni:
- Identifikohuni në portalin e-Albania.
- Në rubrikën “Pasuri e paluajtshme dhe prona”, në kategorinë “Regjistrime të kontratave”, zgjidhni shërbimin: “Aplikim për regjistrimin e kontratës së shkëmbimit” dhe klikoni “Përdor”.
- Gjatë aplikimit, sistemi përzgjedh automatikisht edhe shërbimet:
- Certifikatë pronësie
- Kopje kartele
- Fragment i hartës kadastrale
- Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e kërkuara dhe ngarkoni dokumentacionin në format PDF.
- Kryeni pagesën:
- Online
- Në bankat e nivelit të dytë
- Ose pranë Postës Shqiptare
Dokumentacioni origjinal ngarkohet në aplikim në format PDF (jo më shumë se 10 MB), dhe më pas duhet të dërgohet me postë pranë drejtorisë vendore të ASHK-së përkatëse. Ky dokumentacion përfshin:
- Kontratën e shkëmbimit, së bashku me dokumentacionin shoqërues përkatës.
- Mandat-pagesën për tatimin/taksën e kalimit të pronësisë (kur aplikohet).
- Kontratën e sigurimit 10-vjeçar, kur kërkohet sipas legjislacionit në fuqi.
