“`html
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në Kuvend: Forcimi i Lekut nga përmirësimi i ekonomisë, efekti i luftës, minimal
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 në Kuvend, theksoi se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare përbën një goditje negative të ofertës për Shqipërinë dhe partnerët tregtarë. Natyra e paqëndrueshme e zhvillimeve aktuale e bën të vështirë vlerësimin e plotë të pasojave të konfliktit.
“Megjithatë, në gjykimin tonë, ndikimi mbi ekonominë shqiptare vlerësohet të jetë i kufizuar dhe afatshkurtër. Ekonomia jonë ka një ekspozim relativisht të moderuar ndaj kësaj goditjeje, si dhe disponon hapësira të mjaftueshme për një reagim të kujdesshëm dhe proporcional të politikave publike”, tha Sejko. Ai shtoi se Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes ecurinë e inflacionit, duke synuar të reagojë në kohë për të shmangur efektet e raundit të dytë dhe për të garantuar stabilitetin e çmimeve.
Guvernatori Sejko theksoi se përmirësimi strukturor i pozicionit të jashtëm të ekonomisë gjatë viteve të fundit është pasqyruar në mbiçmimin relativisht të shpejtë dhe të vazhduar të kursit të këmbimit të Lekut, një trend ky që, megjithëse me ritëm më të zbutur, ishte i pranishëm edhe gjatë vitit 2025.
Politika e kujdesshme monetare ka krijuar një mjedis ekonomik me inflacion të ulët dhe të qëndrueshëm, me tregje financiare të qeta, prime të kontrolluara rreziku, kosto të ulëta financimi dhe rritje solide të kredisë për sektorin privat. Masat rregullatore, mbikëqyrëse dhe makroprudenciale kanë përmirësuar parametrat e shëndetit të sistemit bankar, duke forcuar stabilitetin financiar, rritur rezistencën ndaj goditjeve dhe duke sjellë një zgjerim më të shpejtë të ndërmjetësimit financiar.
Stabiliteti monetar dhe financiar ka mundësuar ruajtjen e trendit pozitiv të zhvillimit ekonomik të vendit gjatë vitit 2025. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat në sektorin privat jobujqësor shënuan rritje, duke nxitur të ardhurat dhe përmirësimin e bilanceve financiare të bizneseve dhe familjeve. Paralelisht, deficiti i llogarisë korrente, deficiti buxhetor, borxhi publik dhe ai i huaj shënuan rënie, ndërsa rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë u rritën.
Këto dinamika sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka baza të shëndosha rritjeje dhe rezistencë të përmirësuar ndaj goditjeve potenciale. Banka e Shqipërisë ka shënuar progres edhe në drejtim të detyrave të saj ligjore dhe angazhimeve institucionale, duke përfshirë zhvillimin e sistemit të pagesave dhe përafrimin me standardet europiane në kuadër të procesit të integrimit.
Konkluzione kryesore nga Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2025:
- Ekonomia, inflacioni dhe politika monetare: Ekonomia shqiptare pati një ecuri pozitive gjatë vitit 2025, me rritje të aktivitetit ekonomik prej 3.8%. Punësimi dhe pagat në sektorin privat jobujqësor shënuan rritje, ndërsa norma e papunësisë mbeti pranë niveleve minimale. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi mesatarisht 2.2%, duke qëndruar i ulët dhe i qëndrueshëm.
- Stabiliteti makroekonomik: Pozicioni i jashtëm i vendit u forcua, me eksportet që arritën 10 miliardë euro dhe deficitin e llogarisë korrente që zbriti në 0.7% të PBB-së. Borxhi i huaj zbriti në 38% të PBB-së, ndërsa rezervat valutore arritën 7.3 miliardë euro.
- Pozicioni fiskal: Deficiti buxhetor regjistroi 1.8% të PBB-së, ndërsa borxhi publik zbriti në 52.9% të PBB-së.
- Sektori bankar: Sektori bankar ruajti tregues të lartë kapitalizimi, likuiditeti dhe përfitueshmërie, me raportin e kredive me probleme që zbriti në 3.8%.
- Politika monetare: Banka e Shqipërisë ndoqi një kah lehtësues të politikës monetare, duke ulur normën bazë të interesit në 2.5% dhe duke u prezantuar më fuqishëm në tregun valutor. Kjo politikë ndihmoi ankorimin e pritjeve për inflacionin dhe funksionimin e qetë të tregjeve financiare.
- Kredidhënia: Kredia për sektorin privat u rrit me 14.4%, duke mbështetur investimet e bizneseve.
- Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar: Sistemi financiar shqiptar tregoi qëndrueshmëri dhe fleksibilitet. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 20.36%, ndërsa raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin më të ulët historik. Banka e Shqipërisë vijoi monitorimin e rreziqeve sistemike dhe përafrimin e kuadrit rregullator me standardet e BE-së.
- Aktivitete të tjera: U modernizua ekosistemi i pagesave, duke sjellë transferta më të shpejta dhe me kosto më të ulët. U nis puna për zhvillimin e një platforme pagesash në kohë reale. U ruajt qarkullimi cilësor i monedhës kombëtare dhe u thellua integrimi europian. U forcua besimi publik përmes transparencës dhe edukimit financiar, duke shënuar edhe 100-vjetorin e themelimit të Bankës. U konsoliduan mekanizmat e qeverisjes së brendshme dhe u miratua Strategjia Afatmesme e Zhvillimit 2026–2028.
Guvernatori Sejko theksoi se ruajtja dhe konsolidimi i këtyre arritjeve kërkon vigjilencë të vazhdueshme përballë mjedisit ekonomik dhe financiar kompleks, si dhe sfidave gjeopolitike dhe tregtare. Përballimi i sfidave strukturore kërkon vijimin e politikave makroekonomike dhe përshpejtimin e reformave strukturore.
“`
