## Lufta, ndikimi në ekonomi dhe turizëm
Ekonomia dhe turizmi janë sektorë të ndjeshëm ndaj konflikteve ushtarake dhe krizave gjeopolitike. Lufta ndikon drejtpërdrejt në sigurinë, stabilitetin ekonomik, lëvizjen e njerëzve, investimet dhe perceptimin ndërkombëtar të vendeve të përfshira. Në një botë të globalizuar, pasojat e saj nuk prekin vetëm shtetet pjesëmarrëse, por krijojnë probleme në zinxhir në ekonominë dhe turizmin global.
**MSc Roland Tashi, Ekspert i çështjeve të sigurisë**
Ngjarjet e viteve të fundit, si lufta mes Rusisë dhe Ukrainës (filluar në vitin 2022), konfliktet në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës (në vitin 2023), si dhe tensionet mes Izraelit dhe Iranit (në vitet 2025-2026), kanë treguar qartë se pasiguria politike, konfliktet ushtarake dhe krizat e sigurisë ndikojnë ndjeshëm në tregjet financiare, çmimet e energjisë, inflacionin, transportin ajror dhe industrinë turistike. Ky shkrim synon të analizojë, nga një këndvështrim ushtarak, mënyrën se si lufta ndikon në ekonomi dhe turizëm, duke u fokusuar më pas në konfliktin e Ukrainës dhe atë në Lindjen e Mesme.
### Lufta, ekonomia dhe turizmi
Në kuptimin ushtarak, **lufta** përkufizohet si “Konflikt i organizuar ndërmjet shteteve, grupimeve të ndryshme, forcave të armatosura, që përdor dhunën dhe mjete të tjera për të arritur objektiva politike, territoriale, ekonomike ose ideologjike”.
Nga pikëpamja e teorive ekonomike, “Lufta konsiderohet një faktor destabilizues që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të një vendi”. Kjo ndodh për shkak të disa faktorëve kryesorë:
* Ulja e prodhimit kombëtar.
* Rritja e shpenzimeve ushtarake.
* Rritja e inflacionit dhe papunësisë.
* Largimi i investimeve të huaja.
* Dëmtimi i infrastrukturës.
* Kriza energjetike dhe ushqimore.
Ekonomia e një vendi në luftë përballet me rënien e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pasi një pjesë e konsiderueshme e burimeve financiare orientohet drejt mbrojtjes dhe jo zhvillimit ekonomik. Lufta ndikon edhe në ekonominë globale përmes rritjes së çmimeve të naftës dhe të gazit, ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit, krizave ushqimore dhe pasigurisë në tregjet financiare.
Për Ukrainën, sipas të dhënave të FMN (Fondi Monetar Ndërkombëtar), ekonomia ukrainase pësoi një tkurrje prej rreth 29% të PBB-së në vitin 2022, pas fillimit të pushtimit rus.
Industria turistike varet drejtpërdrejt nga siguria dhe stabiliteti politik. Standardet, shifrat, praktikat dhe metodologjia tregojnë se agjencitë turistike shmangin vendet ose rajonet që perceptohen si të rrezikshme. Pasi turizmi synon pushimin dhe relaksimin, lufta ndikon negativisht duke sjellë:
* Reduktimin e numrit të turistëve dhe vizitorëve.
* Anulimin e fluturimeve, duke dëmtuar fitimin e kompanive ajrore.
* Ulljen e rezervimeve hoteliere.
* Një zinxhir problemesh me bizneset që përfshihen në këtë shërbim.
* Mbylljen e rezorteve dhe objekteve turistike.
* Humbjen e vendeve të punës për personelin e industrisë.
* Ulljen e të ardhurave për shtetin dhe shqetësime të tjera.
Sipas të dhënave të UN Tourism (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Turizmin), turizmi ndërkombëtar është shumë i ndjeshëm ndaj krizave globale dhe konflikteve ushtarake. Edhe vendet që nuk janë pjesë direkte e konfliktit preken nga perceptimi negativ dhe pasiguria e rajonit.
**Lufta Rusi-Ukrainë** ka shkaktuar një nga krizat më të mëdha ekonomike në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas FMN-së, papunësia u rrit mbi 20%, miliona qytetarë u larguan nga vendi dhe investimet e huaja pothuajse u ndalën. Përveç Ukrainës, lufta ndikoi edhe në ekonominë europiane, duke u shoqëruar me rritje të çmimeve të energjisë, inflacion të lartë, krizë të furnizimit me drithëra dhe rritje të kostove të transportit. Kjo tregoi varësinë e fortë të Europës nga gazi rus dhe si ndërprerja e furnizimeve shkaktoi krizë energjetike në shumë shtete.
Nga ky teatër operacionesh luftarak, u godit rëndë edhe turizmi ukrainas. Para konflikteve të vitit 2014, Ukraina priste mbi 24 milionë turistë në vit. Pas aneksimit të Krimesë dhe luftës së vitit 2022, numri i turistëve dhe të ardhurat turistike ranë ndjeshëm. Shumë kompani ajrore ndaluan fluturimet drejt Ukrainës, dhe turizmi u largua nga rajoni për arsye sigurie.
### Konfliktet në Lindjen e Mesme
Sulmet e Hamasit në tetor 2023, pengmarrjet në Izrael dhe lufta që pasoi në Gaza krijuan anulime masive të udhëtimeve, probleme humanitare dhe rënie të ndjeshme të turizmit në rajon. Vendet me pelegrinazh gjithëvjetor pësuan ulje të investimeve dhe të aktivitetit tregtar.
**Turizmi fetar**, shumë i rëndësishëm për Izraelin, Jerusalemin, Jordaninë dhe vende të tjera, pësoi rënie të ndjeshme për shkak të frikës dhe pasigurisë së turistëve.
* Në vitin 2019, Izraeli kishte rreth 4.5 milionë turistë, shumë prej tyre pelegrinë fetarë. Nga janari deri në mars 2024, pas fillimit të luftës, në vend hynë vetëm rreth 206,700 turistë, krahasuar me mbi 966,000 në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
* Në vitin 2025 nuk pati rikuperim; pasiguria vazhdoi, Betlehemi dhe Jerusalemi kaluan “Pashkët e dyta pa turistë”, dhe shumë agjenci turistike mbyllën aktivitetin dhe reduktuan personelin.
* Edhe në vitin 2026, situata mbetet e ngjashme, me hyrje turistike shumë më poshtë niveleve para luftës.
* Për herë të parë që nga viti 1967, xhamia Al-Aqsa u mbyll gjatë festës së Fitër Bajramit për shkak të tensioneve rajonale dhe luftës Izrael-Iran.
Edhe **Jordania** përballet me situatë të ngjashme. Turizmi, i vlerësuar si sektor strategjik, është një nga më të rëndësishmit për sjelljen e valutës së huaj, punësimin dhe të ardhurat shtetërore.
* Në vitin 2023, turizmi kontribuoi rreth 16% të GDP-së së Jordanisë, me të ardhura prej rreth 7.4 miliardë dollarësh.
* Petra, një zonë e famshme turistike dhe arkeologjike, pati rreth 259 mijë vizitorë në gjysmën e parë të vitit 2025, krahasuar me mbi 692 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2023 (një rënie rreth 62%).
Tensionet Izrael-Iran, përplasjet politike, ideologjike dhe fetare, të ndjekura nga operacionet luftarake me raketa dhe dronë, kanë krijuar probleme jo vetëm në biznesin e turizmit, por edhe në pasigurinë e tregjeve ndërkombëtare, sidomos në sektorin energjetik. Irani, si prodhues i rëndësishëm i naftës dhe kontrollues i ngushticës së Hormuzit, ku kalon gati 20% e hidrokarbureve globale, bën që çdo konflikt në rajon të ndikojë menjëherë në rritjen e çmimit të naftës dhe inflacionin, edhe në Europë. Kjo situatë shtrenjton udhëtimet, bën që kompanitë ajrore të shmangin zonat e rrezikshme dhe ato turistike të anulojnë rezervimet.
Pavajsisht se konfliktet aktuale nuk janë në hapësirën gjeografike të Europës, pasojat ekonomike dhe turistike ndihen edhe në vendet që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në luftë. Disa vende, si Shqipëria, Greqia apo Turqia, përfituan pjesërisht nga zhvendosja e turistëve drejt destinacioneve më të sigurta dhe më ekonomike.
Në ekonominë shqiptare, turizmi luan rol të ndjeshëm, duke përbërë rreth 21–25% të PBB-së. Lufta në Ukrainë dhe operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, të shoqëruara me rritje të çmimeve të hidrokarbureve, nuk u ndien në turizmin shqiptar. Përkundrazi, ai shënoi rritje për arsye të zhvillimit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në nivel kombëtar, duke e bërë Shqipërinë një destinacion të sigurt.
Megjithatë, mbështetja dhe varësia e madhe nga turizmi mund të përbëjnë rrezik, pasi trinomi luftë-ekonomi-turizëm ndikohet nga çdo konflikt i armatosur apo pasiguri ndërkombëtare.
### Përfundime
Lufta dhe konfliktet ushtarake kanë një ndikim të madh dhe të menjëhershëm në ekonomi dhe turizëm.
* **Në aspektin ekonomik:** ato shkaktojnë rënie të prodhimit, inflacion, krizë energjetike dhe pasiguri financiare.
* **Në industrinë turistike:** konfliktet sjellin dëmtime të rënda, ulje të numrit të turistëve dhe si pasojë të fitimeve, si dhe dëmtim të imazhit dhe reputacionit, i cili vazhdon shumë më gjatë pas përfundimit të konflikteve.
Rasti i Ukrainës tregoi se lufta mund të shkatërrojë brenda pak muajsh një pjesë të madhe të ekonomisë dhe industrisë turistike të një vendi. Konfliktet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të ndikojnë jo vetëm rajonin, por edhe ekonominë globale përmes tregut të energjisë dhe transportit.
* Sipas FMN, lufta në Ukrainë shkaktoi tkurrje prej rreth 29% të ekonomisë ukrainase, ndërsa dëmet totale kanë kaluar 195 miliardë dollarë.
* Këshilli Botëror i Udhëtimeve dhe Turizmit (WTTC) vlerëson se lufta në Iran po shkakton humbje deri në 600 milionë dollarë në ditë në sektorin turistik të rajonit.
* Në Qipro, prurjet turistike ranë me rreth 30–40% gjatë periudhave të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një botë të ndërlidhur ekonomikisht, paqja dhe stabiliteti mbeten faktorët kryesorë për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe të turizmit. Prandaj, konfliktet e armatosura, krizat e sigurisë dhe tensionet e krijuara nuk duhen vlerësuar vetëm si çështje politike apo ushtarake, por edhe si sfida të mëdha ekonomike dhe sociale për gjithë botën.
