Bardhi: Rama-Balluku, skemë korrupsioni në tenderin e Llogarasë

Bardhi: Rama i përfshirë në korrupsion, nuk guxon ta shkarkojë Belinda Ballukun

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar rëndë qeverinë, duke e cilësuar aferën e tunelit të Llogarasë si një “skemë të pastër korrupsioni të dirigjuar nga vetë Belinda Balluku dhe e mbrojtur nga Edi Rama”.

Sipas Bardhit, dokumentet e prokurorisë, të cilat tashmë janë pjesë e dosjes hetimore, tregojnë qartë se tenderi nuk ishte garë, por një proces i paracaktuar në çdo detaj. Ai deklaroi se tenderi për tunelin e Llogarasë ishte i paracaktuar dhe se Belinda Balluku ka urdhëruar anulimin e paligjshëm të tenderit të parë, vetëm sepse ishte 50 milionë euro më pak sesa llogaritjet korruptive që ajo kishte bërë.

Bardhi shtoi se ministrja ka ndërhyrë personalisht në favor të një kompanie turke, duke komunikuar me drejtuesit e saj disa ditë para hapjes së tenderit. Ai citon mesazhe ku administratori i kompanisë i shkruante Ballukut për një kompani partnere, e cila, sipas tij, ishte “e njohur, e vlerësuar dhe një referencë për presidentin e Turqisë”. Kjo, sipas Bardhit, tregon qartë nivelin e lidhjeve politike që u përdorën për të ndikuar garën.

Ai e akuzoi Ballukun se e ka kthyer ministrinë në një “zyrë private transaksionesh”, ku shteti drejtohet përmes telefonit, mesazheve dhe lidhjeve personale. “Kriteret u përshtatën për të shpallur fituese kompaninë e paracaktuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku. Dhe kjo është arsyeja pse Rama sot nuk guxon ta shkarkojë. Çdo shkelje e ligjit është bërë me urdhër të saj, madje dhe në shtëpinë e saj janë bërë llogaritjet për ndarjen e milionave të euros,” nënvizoi ai.

Në deklaratën e tij, Gazment Bardhi theksoi se prokuroria ka treguar guxim dhe integritet duke hetuar këtë çështje. Ai sqaroi qytetarët se sipas prokurorisë, jo vetëm kompania ishte paracaktuar nga zonja Balluku, por ajo nuk plotësonte një sërë kushtesh teknike dhe financiare të shpallura nga autoritetet shqiptare.

Në përfundim, Bardhi tha se operatori ekonomik, bashkimi i operatorëve ekonomikë të dy kompanive turke, është shpallur fitues në kundërshtim me ligjin, për shkak të veprimeve të drejtpërdrejta dhe kundraligjshme të Belinda Ballukut, në bashkëpunim me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave.

Ai akuzoi Edi Ramën se “gjithë ditën flet për Europën dhe natën mbron korrupsionin me heshtjen dhe mosveprimin e tij”. Bardhi shtoi se Rama është kthyer në një zëdhënës dhe avokat të korrupsionit të Belinda Ballukut, duke mos e shkarkuar nga pozita e zëvendëskryeministres dhe duke mos u distancuar nga provat e prokurorisë.

Scroll to Top