Berisha: Spiropali nuk mbrojti vjedhjet e Ramës dhe Ballukut
Sali Berisha ka komentuar përplasjet e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, e cila aktualisht është deputete e Partisë Socialiste.
Berisha renditi dy arsye kryesore, të cilat sipas tij, kanë çuar në shpalljen e Spiropalit “armike” nga Rama:
- Së pari, Spiropali nuk ka mbrojtur vjedhjet e dyshuara të Ramës me Lubinë.
- Së dyti, ajo ka firmosur “Bordin e Paqes”, një veprim që sipas kreut të PD, kryeministri nuk do të kishte mundur ta bënte vetë.
“Elisa u shpall armike për dy arsye, nuk mbrojti vjedhjet e Ramës me Lubi Ballukun. Pse e bëri nuk e di, por ajo nuk i mbrojti. Së dyti ajo firmosi Bordin e Paqes, që Rama nuk e firmosi dot. Në këtë mënyrë të ardhme aty ajo nuk kishte më. Arsyet e thella nuk e di, por këto janë probleme të brendshme të tyre”, u shpreh kreu i PD.
Kujtojmë se Spiropali ka shprehur herë pas here kritika ndaj qeverisë, duke u distancuar nga grupi socialist në rastin e imunitetit të Belinda Ballukut. Ditën e djeshme, ajo ka ngritur shqetësimin për një model drejtimi që po dominon Partinë Socialiste dhe institucionet shtetërore.
Ajo përshkroi një realitet ku institucionet nuk funksionojnë më si mekanizma vendimmarrjeje dhe llogaridhënieje, por si mjete presioni dhe kontrolli, duke u përdorur kundër individëve, bizneseve, mediave dhe grupeve të caktuara.
Ish-ministrja theksoi se ky model, i ndërtuar gradualisht përmes heshtjes dhe tolerancës, po zëvendëson politikën me një strukturë të mbyllur dhe të centralizuar vendimmarrjeje.
Spiropali tregoi se është këshilluar të “heshtë” për atë që ndodh në qeveri, por ajo ka bërë të qartë se pavarësisht paralajmërimeve dhe sulmeve, nuk trembet nga “qen që s’e kafshojnë”.
