Berisha sfidon Ramën: Debat publik ose gjyqi!

Berisha i drejton sfidë Ramës: Të ftoj në debat, zgjidhe vetë televizionin

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë një ftesë për debat publik kryeministrit Edi Rama. Kushti i kësaj sfide nga ana e Berishës është që Rama të mos paraqitet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku është thirrur si dëshmitar në lidhje me çështjen e aferës “Partizani”.

Gjatë një fjalimi mbajtur në protestë, Berisha iu drejtua Ramës duke theksuar se fundi i tij politik do të jetë në gjykatë, duke përmendur konkretisht çështjen e ministres Belinda Balluku.

“Ju e dëgjuat, më në fund u thirr të ulet në sallën e gjykatës ballë për ballë për firmat e tij. Nga kjo tribunë, u them shqiptarëve se o të keni rastin të shihni në atë sallë përballjen e shekullit. Përpara jush i them Ramës, nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit dhe merr manovra si në rastin e Lubisë, se s’ka më frikacak se ti, të sfidoj edhe në një formë mëshire, zgjidh studion televizive dhe hajde në debat t’ju faktojmë shqiptarë me dokumente se çfarë hajduti të pangopur je. Jo vetëm kaq, po çfarë ligësie shekspiriane mbart ti në qenien tënde. Edi Rama koha jote e zezë për shqiptarët ka marrë fund”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi më tej: “Ne nuk e mbyllim çështjen Balluku, çështjen tënde dhe fundi yt do të jetë para gjykatës. Ndaj edhe në këto kushte krejt të ndryshme, më të vështirat, më duhet të pohojë që ne, opozita shqiptare, kemi bërë sakrifica të shumta dhe të mëdha, ndoshta më të mëdha se çdo opozitë tjetër në Europë, për të mbrojtur interesin publik, lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.”

Berisha theksoi se opozita nuk do të pranonte kurrë “shkrirjen me qeverinë e krimit” dhe nuk do të ishte “fasadë opozitë”. Ai siguroi se do të qëndrojnë të pathyeshëm në mbrojtje të kauzës së tyre dhe do të jenë avokatë të interesit qytetar e kombëtar.

“U tentua me gjykata, të na konfiskohej partia, por me betejë ne morëm. Na izoluan ndërkombëtarisht me lobime korruptive të mafies ndërkombëtare dhe mashtrime, por sot kemi mbështetjen më të gjerë të miqve tanë në botë me 7 rezoluta në vetëm 14 muaj nga partitë kryesore që drejtojnë botën. Ato denoncojnë narkoshtetin e Ramës, arrestimin e liderëve të opozitës”, përfundoi Berisha.

Scroll to Top