Irani merr kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, tensionet rriten

Irani riktheu kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit pas bllokadës amerikane

Irani ka njoftuar sot rivendosjen e “kontrollit të rreptë” mbi Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike për transportin e naftës dhe gazit natyror në botë.

Sipas një deklarate të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian dhe cituar nga komanda e forcave të armatosura Khatam Al-Anbiya, ky vendim është një reagim ndaj asaj që ata e quajnë “bllokada e vazhdueshme amerikane e porteve iraniane”.

Autoritetet iraniane pretendojnë se më parë kishin rënë dakord “në mirëbesim” të lejonin kalimin e një numri të kufizuar cisternash nafte dhe anijesh tregtare. Megjithatë, sipas tyre, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar “aktet e piraterisë nën mbulesën e një bllokade”, duke shkaktuar kështu ndryshimin e qëndrimit të Teheranit.

“Për këtë arsye, kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është rikthyer në gjendjen e tij të mëparshme dhe ky kalim strategjik tani është nën kontroll të rreptë,” thuhet në deklaratë.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme gjeopolitike në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës.

Scroll to Top