“BESA” nis nga Vlora, Shekulli zbardh dokumentin e Ramës: 90 ditë kohë për t’iu shpjeguar njerëzve projektin për Nartën
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ditën e djeshme një dokument të ri të quajtur “Besa”, të cilin e ka cilësuar si një metodë të re qeverisjeje për mandatin e katërt. Ky dokument synon të ndryshojë mënyrën se si shteti komunikon dhe vepron me qytetarët, në mënyrë që ata të mos ndihen të papërfaqësuar.
Rama e ka lidhur emërtimin me kuptimin tradicional shqiptar të fjalës “besa” – pra, një premtim dhe përgjegjësi e mbajtur. Sipas dokumentit, fokusi kryesor do të jetë:
- Administrata më pranë qytetarëve dhe reagim më i shpejtë ndaj kërkesave të tyre.
- Komunikim më i mirë institucional, në mënyrë që vendimet të shpjegohen dhe të mos perceptohen si të njëanshme.
- Përgjegjësi më e madhe e zyrtarëve publikë për mënyrën se si trajtohen qytetarët.
- Ndryshim i kulturës së qeverisjes, me më shumë dëgjim dhe llogaridhënie.
Rama e paraqiti “Besën” si një pikë reflektimi për Partinë Socialiste dhe administratën, duke kërkuar që drejtuesit politikë dhe deputetët ta shqyrtojnë si bazë për ndryshime në mënyrën e funksionimit të qeverisjes.
Rasti i parë i asaj që BESA personifikon është projekti i ndërtimeve në zonën e Nartës, ku për 90 ditë parashikohen dëgjesa me qytetarët për t’iu shpjeguar detajet. Megjithatë, asnjë hap i metodës BESA nuk kushtëzon projektin nga detyrimet kontraktore apo kontrolli gjyqësor.
PJESË NGA DOKUMENTI
RASTI I PARË I METODËS BESA: Testi Vjosë-Narta
Një metodë strategjike provohet aty ku vendimmarrja është më e ndërlikuar dhe besimi më i cenuar. Për këtë arsye, Vjosa-Narta zgjidhet si testi i parë i Metodës BESA. Qëllimi nuk është të rihapet politikisht e shkuara, por të provohet nëse një proces i plotë dëgjimi, evidencë, shpjegimi dhe matjeje mund të prodhojë një vendim më të besueshëm.
Testi nuk nis as nga përfundimi se projekti duhet të vazhdojë, as nga përfundimi se duhet të ndalet. Alternativat janë vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat. Asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor.
Përpara nisjes miratohet një mandat i posaçëm zbatimi që përcakton:
- Institucionin përgjegjës.
- Bazën ligjore.
- Dokumentet që mund të publikohen dhe kufizimet e ligjshme të konfidencialitetit.
- Procedurën transparente për përzgjedhjen e ekspertëve.
- Trajtimin e konfliktit të interesit.
- Marrëdhënien e testit me proceset administrative apo kontraktore në zhvillim.
Të shtatë mekanizmat vihen në punë brenda 90 ditëve. Brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues. Detyrimet që kërkojnë më shumë kohë regjistrohen me afate publike, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm.
Vlerësimi i Dëgjesës
Dëgjesë e strukturuar në Vlorë dhe jo vetëm, me banorët, peshkatarët, studentët, shkencëtarët, sipërmarrjet e zonës, grupet që protestuan. Jo shfaqje mediatike, por tryeza dëgjimore të regjistruara për arkivën dhe me raport të shkruar publik mbi çfarë u tha.
“Dokumenti i drejtohet qeverisë, administratës dhe familjes sonë politike, por parimet dhe mekanizmat e tij duhet të përballen edhe me publikun, komunitetet profesionale, shoqërinë civile, universitetet dhe brezin e ri. Zbatimi i tij nuk matet nga miratimi i tekstit, por nga ndryshimi i mënyrës si merren, shpjegohen, zbatohen dhe korrigjohen vendimet. Instrumentet e propozuara nuk u mbivendosen roleve të institucioneve. Konsultimi publik, vlerësimi i ndikimit rregullator dhe planet e performancës ekzistojnë tashmë. BESA i bashkon në një standard të vetëm besueshmërie dhe kërkon që çdo detyrim i ri të zëvendësojë, bashkojë ose thjeshtojë një procedurë ekzistuese”, thuhet mes të tjerave në dokument.
BESA liston 7 aftësitë e qeverisjes së besueshme, të cilat socialistët duhet t’i ndjekin në këtë mandat të tyre të katërt:
- Dëgjimi – institucionet kuptojnë shoqërinë përpara se pakënaqësia të bëhet krizë.
- Prova – çdo vendim strategjik mbështetet mbi evidencë të verifikueshme.
- Shpjegimi – transparenca nuk mbaron te publikimi, por arrin te kuptimi.
- Kujdesi – mirëmbajtja dhe cilësia e shërbimit peshojnë sa investimi i ri.
- Matja – administrata mat jo vetëm aktivitetin, por ndryshimin në jetën e qytetarit.
- Mësimi – gabimi kthehet në njohuri dhe nuk përsëritet si zakon institucional.
- Parashikimi – rreziku dallohet kur është ende sinjal dhe jo pasi është bërë krizë.
Teksa prezantoi dokumentin, Rama tha se ai i drejtohet atyre që mbështesin ndryshimin, dhe jo atyre që protestojnë pa arsye.
