Trump: Bisedime të reja me Iranin të mundshme brenda 36 deri në 72 orëve të ardhshme, pas zgjatjes së armëpushimit
Sinjalet pozitive për rifillimin e bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të shfaqen që të premten, më 24 prill, sipas presidentit amerikan Donald Trump dhe burimeve pakistaneze, të cilat janë cituar nga “New York Post”.
Burime nga Pakistani raportuan për përpjekje të suksesshme ndërmjetësimi me Teheranin, duke hapur sërish mundësinë e bisedimeve të mëtejshme për paqe brenda “36 deri në 72 orëve” të ardhshme.
I pyetur rreth kësaj çështjeje, Donald Trump u përgjigj me një mesazh konfirmues, duke lënë të hapur mundësinë e zhvillimeve të mëtejshme.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi presidenti amerikan njoftoi zgjatjen e armëpushimit aktual me Iranin, derisa pala iraniane të paraqesë një propozim të unifikuar, duke kapërcyer dallimet e brendshme.
Në një postim në platformën Truth Social të martën, Trump tha se kishte urdhëruar forcat ushtarake amerikane të ruanin bllokadën dhe të qëndronin në gatishmëri. Ai theksoi se armëpushimi do të vazhdonte derisa të paraqitej një propozim dhe të përfundonin negociatat.
Ndërkohë, sipas burimeve pakistaneze, Pakistani po vazhdon kontaktet e tij diplomatike me Teheranin. Afati kohor i përmendur bazohet në një vlerësim të progresit të këtyre veprimeve.
Të njëjtat burime vënë në dukje se, pavarësisht retorikës intensive, armëpushimi është respektuar deri më tani, pa u regjistruar përshkallëzim ushtarak nga asnjëra palë. Kjo konsiderohet si një shenjë e qëllimit pozitiv për të vazhduar dialogun.
