Zjarri dogji 71 apartamente, Bashkia e Tiranës miraton ndihmën financiare për familjet e prekura
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare për familjet e prekura nga zjarri që ra më 14 prill në pallatin e vendosur në rrugën e Dibrës, pranë zonës së njohur si Farmacia 10 dhe Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT).
Vendimi parashikon që përfituesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës pranë njësive administrative ku janë të regjistruar. Ky dokumentacion përfshin kartë identiteti, certifikatë familjare, dokumente pronësie mbi banesën e dëmtuar, si dhe një deklaratë për vërtetësinë e të dhënave.
Gjithashtu, kërkohet një vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës që provon se anëtarët madhorë të familjes nuk zotërojnë banesë tjetër në të njëjtën njësi vendore.
Njësitë administrative do të jenë përgjegjëse për verifikimin e dokumentacionit dhe hartimin e listës së përfituesve. Kjo listë do t’u përcillet më pas strukturave përkatëse për miratim dhe ekzekutim të pagesave.
Ndihma financiare do të monitorohet çdo muaj dhe do të ndërpritet në momentin kur familjet do të sistemohen përfundimisht në banesa të rikonstruktuara. Në rastet kur konstatohet përfitim i padrejtë, do të nisin procedurat për kthimin e shumave të përfituara.
Efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2026, brenda kuadrit të programit për mbrojtjen nga zjarri dhe mbrojtjen civile. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit do të raportojë çdo tre muaj pranë Këshillit Bashkiak lidhur me listën e përfituesve dhe ecurinë e zbatimit të këtij vendimi.
